Gazetarët Armand Shkullaku dhe Sonila Meço i bashkohen Lulzim Bashën në Sheshin e Lirisë në një bashkëbisedimin me të rinjtë
Gazetarët e njohur Armand Shkullaku dhe Sonila Meço u bënë sot pasdite pjesë e një bashkëbisedimi me të rinjtë në Sheshin e Lirisë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Të rinjtë e pranishëm ngritën shumë pyetje dhe shqetësime për kriminalizimin e shtetit, për pasigurinë e votës, për gjendjen e rënduar të ekonomisë dhe demokracisë në vend. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i falenderoi gazetarët Shkullaku dhe Meço për kontributin e tyre në ruatjen e vlerave të rëndësishme, si liria e fjalës dhe e shprehjes.
“Ky është një moment ku duhet të jetë opozita, duhet të jetë Partia Demokratike dhe kryetari i saj z.Basha, ata që duhet të mbështesin njerëzit dhe qytetarët. Në këtë kuptim unë e shoh këtë akt që ju keni nisur si diçka pa kthim. Unë mendoj se qendresa këtu e opozitës është mbështetja më e mirë që opozita mund tu japë qytetarëve. Qytetarët këto 4 vjet janë ndjerë të nëpërkëmbur, të lënë pas dore dhe pavarësisht përpjekjeve të opozitës nuk ka pasur një përfaqësim më të fortë, për të pasur një zë, për të qënë zëdhënës të shqetësimeve të tyre. Mendoj se ky është momenti. Partia Demokratike ka hedhur një hap që çdo kthim pas nuk do dëmtonte vetëm atë por do vriste përfundimisht shpresën e njerëzve që në fund mund të ketë një ndryshim”, u shpreh Armand Shkullaku.
Gazetari i njohur tha se vlerëson zgjedhjen që ka bërë opozita, për një protestë paqesore, si të thuash gandiste, por theksoi se nëse qeveria është një fasadë, opozita s’mund të bëhet fasadë e fasadës.
“Unë mendoj se nuk duhet të ketë kthim prapa në këtë që ka nisur, sepse nëse do fillojnë negociatat, apo këto bisedimet tërhiqu këtu e shto atje, ne do të kemi një arnim ose riparim të një sistemi që vetëm mashtron. Nëse do i shkojmë deri në fund, mund të kemi ndryshime, mund të kemi përmbysje. Nuk është fjala thjeshtë për ndryshim. Nuk do kishte kuptim nëse do shkojmë në zgjedhje me këtë këtë qeveri. Nëse opozita është e bindur përditë që qeveria ka kapur të gjitha pushtetet; presion drejtësisë, mediave, qytetarëve, paratë e drogës, të krimit, dekriminalizimi që bëhet sa për sy e faqe, kemi pasur shumë prova që vota e lirë nuk ka më vlerë, atëhere për çfarë duhet shkuar në zgjedhje. Atë që z.Basha e quajti qeveri fasadë, atëhere do bëjë edhe opozita fasadën e fasadës?! Apo të vendosë të thotë stop e të mos shkojë në zgjedhje me këtë qeveri. Unë do të thoja që nuk ia vlen të shkohet në zgjedhje. Këtë e tha edhe një minsitër i qeverisë që denoncoi me raste në Durrës banda të caktuara bashkë me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, që kanë mobilizuar krimin bashkë me policinë për të vjedhur votat e njëri-tjetrit. Kur ata i vjedhin njëri-tjetrit, imagjinoni se ç’mund të bëjnë. Slogani që mund ti shkojë më mirë kësaj që keni nisur është; përmbysje, jo ndryshim”, pohoi Shkullaku.
Gazetarja Sonila Meço vlerësoi protestën e 18 shkurtit dhe qëndresën që po vazhdojnë të bëjnë qytetarët në Sheshin e Lirisë.
“Le të jetë kjo një iniciativë e cila në një farë mënyre ndryshon dhe përmbys një mentalitet të shqiptarëve që gjithmonë kanë besuar se fati i tyre do të vijë nga një prej kateve të asaj godine. Jo. Shpresoj që çdo shqiptar përpara se të vendosë të niset për tek ky vend, tek kjo çadër, të shohë vetëm brenda 4 mureve të tij. Nëse cilësia e arsimimit të fëmijëve të tij është përmirësuar, nëse shkon në spital dhe merr një shërbim të mirë, nëse hap ekranin dhe sheh media të lira që nuk bëjnë cinizëm edhe me këtë revoltë që vjen edhe nga njerëz pa përkatësi partiake, nëse sheh që në fund të muajit kursen dhe i tepron, atëhere nuk ka arsye për të dalë nga shtëpia”, tha Meco.
Gazetarja shpjegoi arsyet pse i është bashkuar kësaj proteste.
“Unë për vete i bashkohem sepse e kam ndjerë mbi kurriz se çfarë do të thotë presion i qeverisë mbi punën time. Unë jam gazetare dhe kishim një televizion, dhe vetëm sepse orekset e kësaj klase në pushtet nuk bashkoheshin me fjalën e lirë, 500 kolegë mbetën pa punë. Vetëm sepse kryeministri i vendit vendosi të bëjë edhe prokurorin, edhe gjykatësin. Brenda 4 mureve të shtëpisë time të ardhurat kanë rënë. Nuk bëjmë një jetë më të mirë se më përpara. Na janë ngushtuar shumë mundësitë. Shqetësohem shumë për kolegët gazetarë që sa vijnë e mbeten të papunë. Unë për vete i kam të gjitha arsyet për të dale, i ftoj gjithë të tjerët të shohin brenda tyre”, tha Meco, duke shtuar se ka ardhur koha të jemi të lirë në mendim, të jemi të lirë në zgjedhje dhe vendime.
I pyetur nga një i ri se cfarë plani ka PD në lidhje me kriminalizimin e shtetit dhe a do lejojë nesër në pushtet të ndodhë kjo gjë e rëndë, Lulzim Basha u shpreh i prerë:
“Ne së bashku do ta dekriminalizojmë shtetin deri në qelizën e fundit. Ne do ti heqim kriminelët nga politika, do ta zbatojmë ligjin për dekriminalizimin të cilin sot e bllokon i njëjti njeri që i solli trafikantët e grave dhe vajzave shqiptare dhe i bëri deputet, kryetarë bashkish, u dha pushtet dhe i bëri drejtorë. Kryeministri i kërkoi dhe si solli sepse i duhehsin për të marrë, vjedhur e shantazhuar shqiptarët. Nuk ranë nga qielli kriminelët në karriget e pushtetit. Ishte kompromisi, pazari i Edi Ramës për të marrë pushtetin dhe sot është pazari për të mbajtur pazarin kundër vullnetin të shumicës dërmuese të shqiptarëve”, theksoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, duke analizuar tiparin e qeverisë, që investohet dhe bën gjithcka për fasadë, tha se edhe zgjedhjet kërkon ti bëjë të tilla. Por Basha theksoi se kjo nuk do të ndodhë.
“Që dje bota ka dëgjuar diçka të madhe nga shqiptarët, vendosmërinë për tu ngritur bashkë dhe për ti thënë kurrë më dhe fund kësaj maskarade, fund kësaj fasade. Demokraci fasadë, ekonomi fasadë, shëndetësi fasadë, arsim fasadë, pensione fasadë, kujdes social fasadë, është e gjitha një fasadë, dhe tani do të bëjë zgjedhje fasadë. Prandaj nuk e deshi votimin dhe numërimin elektronik sepse kështu nuk i fuste dot duart, nuk i manipulonte dot vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne morën një vendim të madh dje, dhe nuk ishte vetëm i mi apo i Partisë Demokratike. Bashkë ishim këtu kur e morëm me tubimin dhe bashkimin më të madh të shqiptarëve. Vendimi ishte në dorën tuaj dhe vendimi është i qytetarëve shqiptarë. Vendimi është që, nuk do të ketë më zgjedhje fasadë, nuk do të ketë më zgjedhje të manipuluara. Do të bëjmë zgjedhje të lira e të ndeshme ose zgjedhje në këtë vend nuk do të ketë derisa të jenë të lira dhe të ndershme. A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë kryeministër të bërë njësh me bandat e drogës?! A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë koalicion të krimit dhe korrupsionit?! Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike, një qeverie të zgjedhjeve të lira. Ky është kushti, kjo është zgjidhja”, deklaroi Lulzim Basha.