Sejko: Bankat të jenë më aktive në kreditimin e ekonomisë

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte sot i pranishwm në konferencën e tretë të Shoqatës Shqiptare të Bankave me temë: “Bankat për zhvillim të qëndrueshëm”, të organizuar me rastin e 20-vjetorit të krijimit të ShShB-së në Shqipëri.

Në kuadër të ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe industrisë bankare për një zhvillim të qëndrueshëm, në këtë konferencë merrnin pjesë politikëbërës dhe përfaqësues nga institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, sistemit bankar dhe shoqatave të bankave të rajonit .

Fjala e plote e guvernatorit të BSH-së:

Më lejoni në radhë të parë të uroj Shoqatën Shqiptare të Bankave në 20-vjetorin e krijimit të saj. Kjo shoqatë, e cila erdhi në jetë në një moment emancipimi të sektorit bankar, tashmë është shndërruar në një platformë të mirëfilltë komunikimi e koordinimi brenda industrisë dhe në një aktor të rëndësishëm në jetën ekonomike e financiare të vendit.

Po ashtu, dëshiroj të përgëzoj organizatorët për mundësimin e kësaj konference, e cila ndihmon sektorin bankar dhe rregullatorët e politikëbërësit të identifikojnë sfidat që kemi përpara dhe të eksplorojnë alternativat më të mira për trajtimin e tyre.

Të nderuar pjesëmarrës,
Sistemi bankar në Shqipëri ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë dy dekadave të fundit. Do të doja, për ilustrim, të sillja në vëmendjen tuaj disa shifra e fakte. Në harkun e dy dekadave, portofoli i kredisë bankare është zgjeruar ndjeshëm, duke kaluar nga 5% në 35% të PBB-së së vendit. Po ashtu, vëllimi i depozitave – apo, me fjalë të tjera, vëllimi i kursimeve të publikut shqiptar që administrohen nga sektori bankar – është rritur nga rreth 45% në 70% të PBB-së. Në të njëjtën kohë, numri i individëve, depozitat e të cilëve janë mbuluar nga skema e sigurimit, është gjashtëfishuar, duke arritur në 2.4 milionë. Paralelisht me treguesit sasiorë, sektori bankar shqiptar ka shënuar zhvillim, sofistikim dhe progres të ndjeshëm në gamën e produkteve bankare dhe të instrumenteve të pagesës që ofron. Së fundi, por po aq e rëndësishme sa treguesit e zhvillimit, ky sektor është shfaqur rezistent ndaj goditjeve dhe – në ndryshim nga mjaft eksperienca të tjera të vendeve të rajonit – nuk ka pasur nevojë për përdorim të fondeve publike.

Duke nënvizuar progresin e bërë, gjej me vend të theksoj se zhvillimi i sektorit bankar – dhe i sistemit financiar në përgjithësi – nuk ka qenë linear: sfidat me të cilat ai është përballur kanë qenë të vazhdueshme dhe të formave të ndryshme. Këto sfida kanë kërkuar kujdes dhe vendimmarrje aktive, inteligjente e kurajoze. Jam i bindur se eksperienca e përbashkët mund dhe do të na ndihmojë në vendimmarrjen tonë në të ardhmen.

Për këtë arsye, e konsideroj këtë konferencë si një mundësi të shkëlqyer për të reflektuar mbi disa nga sfidat me të cilat do të përballemi në periudhën në vijim.

Së pari, më lejoni të bëj një ekspoze të shkurtër të situatës ekonomike e financiare, si dhe të perspektivave të zhvillimit të vendit.

Sikundër e kemi thënë në vazhdimësi, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare është në një udhë të qëndrueshme përmirësimi të pozicionit të saj ciklik. Zgjerimi i kërkesës agregate ka sjellë përshpejtimin e rritjes ekonomike, rritjen e punësimit e të pagave, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese, dhe përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve e familjeve.

Paralelisht me të, bilancet e sektorit bankar janë të shëndosha dhe në përmirësim. Parametrat kryesorë të likuiditetit dhe kapitalizimit janë përtej kërkesave tona rregullatore, treguesi i kredive me probleme është në një trend të qartë rënës dhe sektori bankar shfaqet rentabël. Gjithashtu, konsolidimi në proces i sektorit bankar ka sjellë në treg aktorë të rinj – të cilët përfitoj nga rasti t’i përshëndes – dhe ka krijuar premisa për rritje të konkurrencës e të eficiencës në sistem. Së fundi, provat tona të rezistencës tregojnë se ky sektor është i aftë, në tërësi, për t’i bërë ballë goditjeve.

Ky progres është ankoruar në politika të kujdesshme ekonomike: stimul monetar, konsolidim fiskal dhe politika prudente mbikëqyrëse e rregullatore. Në veçanti, më lejoni të theksoj se Banka e Shqipërisë ka punuar me seriozitet:
për përafrimin e rregulloreve tona me standardet e Bashkimit Evropian dhe kërkesat e Komitetit të Bazelit;-
për përmirësimin e arkitekturës së mbikëqyrjes së sistemit financiar dhe për forcimin e rrjeteve të sigurisë;-
për përmirësimin e ambientit të kreditit, nëpërmjet lehtësimit të zgjidhjes së çështjeve që lidhen me kreditë me probleme; si dhe,-
për zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tregut financiar dhe sistemit të pagesave.-

Të nderuar pjesëmarrës,
Sistemi bankar ka një rol kyç në ruajtjen e kursimeve të familjeve shqiptare, në ndërmjetësimin dhe alokimin e fondeve, si dhe në zgjerimin e instrumenteve të financimit, të administrimit të rrezikut dhe të pagesave. Shkalla e përmbushjes së këtyre funksioneve do të ketë një lidhje të ndërsjellë me ritmin e zhvillimit të vendit në horizontin afatgjatë.

Në këtë drejtim, më lejoni të identifikoj katër sfida parësore të sektorit:

Së pari, sektori bankar duhet të përmbushë më mirë rolin e tij të ndërmjetësuesit të fondeve në ekonomi. Përmirësimi i treguesve të shëndetit, reduktimi i rrezikut të kredisë dhe konsolidimi i sektorit bankar, duhet t’i hapin rrugë një përqasjeje më aktive të bankave në kredidhënie. Potenciali financiar i vendit duhet të pasqyrohet më mirë në kreditimin e bizneseve dhe familjeve shqiptare.

Së dyti, sektori bankar duhet të jetë më i vëmendshëm në alokimin eficient të fondeve, drejt sektorëve produktivë dhe me potencial të lartë afatgjatë. Sistemi bankar, në përgjithësi, është maturuar mjaftueshëm për të dalluar midis kreditorëve të mirë dhe atyre të këqij, duke minimizuar problemet e rrezikut moral dhe të asimetrisë së informacionit. Megjithatë, financimi i vazhdueshëm dhe rialokimi i kapitalit janë baza e zhvillimit dhe e ristrukturimit të ekonomisë. Në këtë drejtim, është e nevojshme që bankat të identifikojnë drejt sektorët rentabël, të cilët mund të garantojnë vlerë të shtuar në ekonomi dhe punësim, dhe t’i mbështesin ato me fonde.

Së treti, paralelisht me përmirësimin e alokimit të fondeve, më shumë punë duhet bërë për rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Përmirësimi i aksesit në financë, i kombinuar me iniciativa konkrete për thellimin e edukimit financiar të popullatës, me të cilin qëndron në një marrëdhënie tërësisht simbiotike, u mundëson bizneseve dhe individëve të kapitalizojnë potencialin e tyre të rritjes, duke gjeneruar fitime për vete dhe përfitime për ekonominë.

Së fundi, modernizimi dhe inovacioni duhet të jenë një prioritet i rëndësishëm afatgjatë i sektorit bankar. Evoluimi i vazhdueshëm do të siguronte një sektor konkurrues, eficient dhe në pararojë të zhvillimit teknologjik në vend. Duke faktorizuar ndikimin e qenësishëm që sektori bankar ka pasur mbi avancimin dhe përhapjen e novacionit në sektorë të tjerë, ky investim nuk do të ishte i nevojshëm dhe fitimprurës vetëm për industrinë financiare, por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Me vështrim nga e ardhmja, mbetem i bindur se sektori bankar do të dijë të ngrihet në lartësinë e këtyre sfidave dhe se konkluzionet e konferencës së sotme do të shërbejnë si një hap më tej në këtë drejtim.

Zjarr Tv Ad