Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken ka uruar shqiptarët me rastin e 109-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Blinken shkruan në mesazhin e tij se shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.
MESAZHI I PLOTË
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj popullin e Shqipërisë për 109-vjetorin të Pavarësisë.
Miqësia jonë e thellë dhe e qëndrueshme daton më shumë se një shekull nga koha kur Presidenti Woodroë Wilson mbrojti prerazi pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në 1919.
Shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste dhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.
Në 2021, ne shënuam 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991.
Sot ne jemi aleatë brenda NATO-s dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë që e quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat.