Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi duke reaguar pas ngjarjeve të rënda që u shfaqën dje në Bularat, teksa në varrimin e Kacifas u lëshuan thirrje të papranueshme antishqiptare, ka kërkuar mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Me një deklarate për mediat, ai e ka quajtur të papranueshme dhe alarmuese faktin që dje në jugun e vendit ra shteti.
“Ne kishim paralajmëruar se me varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri do bëhej vend pelegrinazhi. Kemi parë me shqetësim dhe indinjatë politikën nën tavolinë të politikës shqiptare. Greqia nuk njeh gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe pavarësinë e Kosovës. Dje u gjendëm përballë një shfaqje të turpshme. Ne dëgjuam thirrjet nacionaliste dhe raciste të grekëve në Bularat.
Thirrjet e atyre që guxuan të revokojnë Vorio Epirin, por ne u themi se ne njohim vetëm Pirron e Epirit. PDIU dhe shoqata Çamëria kërkon sot me forcë të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur herën e fundit për çështjen Balili. I drejtojmë shtetit shqiptar apelin që nëse nuk vendosni autoritetin e shtetit me Kushtetutë, atëherë na e thoni se do e mbrojmë ne vetë shqiptarët”-tha Idrizi.