Serbi, mbi 10 mijë protestues kundër Vuçiçit

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Protestuesit e mbledhur bashkë nga “Aleanca për Serbinë”, një grupim i 30 partive opozitare dhe organizatave të ndryshme, mbanin parulla ku lexohej “Sapo ka nisur” dhe thërrisnin në kor “Vuçiç hajdut”, në të tetën fundjavë radhazi të pakënaqësisë së shprehur përmes demonstratave. Edhe protestat e mëparshme kanë pasur thuajse të njëjtin numër pjesëmarrësish. “E vetmja kërkesë që ne kemi, është që ky regjim djallëzor të largohet”, tha aktori Branislav Trifunoviç, që iu adresua protestuesve siç ka bërë edhe gjatë javëve të kaluara. “Duam zgjedhje, por liria është mbi gjithçka”, shtoi më tej ai. Nga zyra e Vuçiçit nuk është lëshuar asnjë reagim. Në të kaluarën, presidenti është shprehur se nuk do të përulet përpara kërkesave të opozitës për reformë zgjedhore dhe përmirësim të lirisë së shtypit, “edhe nëse do të dilnin 5 milionë njerëz në shesh”, por gjithsesi shprehu vullnetin që të testojë popullaritetin e partisë së tij në zgjedhje të parakohshme. Protestat e fundit vijnë pas vizitës në Beograd të presidentit rus, Vladimir Putin, i mirëpritur gjatë së enjtes nga dhjetëra mijëra njerëz, të mbledhur nga mbarë Serbia. “Kam ardhur këtu të shpreh pakënaqësinë time me këtë elitë sunduese”, thotë një pensioniste 64-vjeçare, Ljiljana Zivanoviç. “Ata (SNS dhe Vuçiç) kontrollojnë të gjitha mediet. Jam lodhur me korrupsionin e pafund”, shtoi më tej ajo. Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të Serbisë, ndërsa të premten u zhvilluan edhe në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh; në qytetin jugor të Nishit dhe disa të tjerë, edhe pse numri i pjesëmarrësve jashtë kryeqytetit mbetet gjithsesi i vogël.

Zjarr Tv Ad