Nga Ilir Xhafaj për Newsbomb.al
Mediat serbe shkruajnë se Serbia do të dalë në orët në vazhdim në një qëndrim zyrtar për pushtimin rus të Ukrainës. Më herët, është bërë me dije se vendi i drejtuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç, ka dalë kundër Bashkimit Europian dhe nuk do të pranojë aplikimin e sanksioneve për aleatin e vet rus.
Qëndrimin zyrtar Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, do ta bëjë publik pas një seance tjetër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me Patriarkun Porfirio, me të cilin do të diskutojë edhe për situatën në Ukrainë. Megjithatë, përgjigja që do të dalë nga kjo “seancë” tjetër është e qartë.
Serbia dhe Rusia janë dy vende mike dhe me bashkëpunime të ndërsjellta në fushat ekonomike dhe ushtarake, ndaj shumë besojnë se e dinë atë që Vuçiç do të deklarojë më vonë, se nuk do pranojë t’i vendosë sanksione homologut të tij Vladimir Putin. Një fakt tjetër që tregon shumë për qëndrimin e Serbisë është dhe mbështetja e gazetave serbe pro qeverisë, për pushtimin e Ukrainës.
Në ballinat e tyre këtë të premte, me krenari shkruanin se Rusia e kishte pushtuar Ukrainën brenda një dite.
Por, cili është qëndrimi që do të mbajë Shqipëria në këtë situatë, në një kohë kur në tryezë me Serbinë dhe Maqedoninë ka projektin e “Ballkanit të Hapur”. Tirana zyrtare ka reaguar menjëherë pas sulmeve që nisën mëngjesin e djeshëm në Ukrainë dhe ka kërkuar tërheqjen e trupave ushtarake. Ministrja Olta Xhaçka, presidenti Meta dhe kryeministri Rama dënuan Rusinë për sulmet raketore dhe me avionë bombardues në rajonet lindore të Ukrainës.
Edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB Ferit Hoxha, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që mbahej në orët e para të 24 shkurtit, në të njëjtën kohë kur Putin dha urdhrin për luftë, kërkoi tërheqjen e Rusisë nga ajo që ai e quajti “marrëzi”. Hoxha shprehu mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe popullin e saj në këto orë të errëta.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski ka reaguar menjëherë dje dhe ka dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shkruan newsbomb.al. “Lufta është mënyra më e keqe për zgjidhjen e keqkuptimeve dhe agresioni kundër Ukrainës është një kërcënim për paqen evropiane dhe botërore”, tha Kovacevski.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar informacionin për pakon e re të masave kufizuese të BE-së lidhur me situatën në Ukrainë. Vendi ballkanik i bashkohet vendimeve të BE-së për masat kufizuese për një numër të caktuar politikanësh dhe biznesmenësh që kanë luajtur një rol në situatën në Ukrainë.
Pyetja që shtrohet tashmë është nëse vendi ynë duhet të vazhdojë bisedimet për “Ballkanin e Hapur”?
Duhet Shqipëria të bisedojë për të zhvilluar tregtinë dhe fusha të tjera me një vend që është deklaruar “PRO” Rusisë dhe nuk ka pranuar sanksionet që aleatët amerikanë dhe europianë njoftuan dje në mbrëmje ndaj Kremlinit zyrtar? Po shqiptarët, si do t’i përgjigjen Formularit të Këshillimit që kryeministri Rama ka shpërndarë prej më shumë se një muaj?
“Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës “Ballkani i Hapur” midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?”
Kjo është pyetja që u është dërguar me postë në shtëpitë e gjithë qytetarëve shqiptarë. Shumë janë përgjigjur, por po të tjerët si duhet të përgjigjen në vazhdim. A do t’i ndërpresë vendi ynë, një aleat i ngushtë i SHBA dhe Bashkimit Europian, marrëdhëniet me Serbinë, të paktën për këtë rast?.
Mbetet të shihet vendimi që do të marrë qeveria shqipatare e drejtaur nga Edi Rama, pas këtij konflikti që ka përfshirë Europën dhe gjithë botën, shkruan newsbomb.al. Dhe me të drejtë shumë liderë europianë janë shprehur se pas kësaj lufte bota nuk do të jetë më njësoj.
Po marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, për “Ballkanin e Hapur”, a do të jenë më njësoj?!