Serbia i ka dorëzuar Francës, kërkesën për ekstradimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kërkesa për ekstradimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, u bë ditën e sotme nga ministria e Drejtësisë serbe dhe i është dorëzuar autoriteteve franceze.
Përmes saj kërkohet që Haradinaj, i cili u arrestua më 4 janar, të ekstradohet nga paraburgimi i Colmar në Francë, drejt Serbisë.
Gjithashtu, përveç kërkesës për ekstradim, është dërguar edhe dokumentacioni në bazë të të cilit sistemi francez i drejtësisë do të vendosë nëse janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt.
Gjithë materialet janë dorëzuar në gjuhën franceze dhe në bazë të tyre kërkohet që Haradinaj të gjykohet në Beograd, për krimet e luftës së pretenduara se janë kryer prej tij gjatë kohës që ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar në Francë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia të vitit 2004, i dyshuar për krime lufte.