Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka komentuar një lajm të shpërndarë nga mediat shqiptare rreth çështjes së Kosovës në Këshillin e Europës.
Në një postim në Facebook, Balla shprehet se lajmi ku pretendohet se Serbia nxjerr Kosovën jashtë agjendes së KiE, është shpërndarë qëllimisht nga mediat serbe dhe më pas është riprodhuar nga ato shqiptaret pa asnjë verifikim.
Balla sqaron se çështja anëtarësimit të Kosovës nuk ka qenë kurrë në agjendën e KiE dhe se është i pavërtetë fakti që është nxjerrë jashtë saj.
Deputeti socialist shkruan se çështja e Kosovës shumë shpejt do të jetë pjesë e agjendës së KiE, duke e cilësuar si hap pozitiv “dhënien e fjalës në Këshill të Delegacionit të Kosovës” në punimet e datës 10-14 tetor.
”Duke qenë se në datat 10-14 tetor do të zhvillojë punimet edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kur për herë të parë Delegacionit të Kosovës i është dhenë e drejta e fjalës, pra do të ketë mundësi të flasë në këtë platformë të rëndësishme të Këshillit të Evropës. Për më tepër në këtë sesion pritet të diskutohet edhe një raport për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor të përgatitur nga Reporteri George Papandreou, ndaj është vlerësuar se të gjitha sa më sipër po krijojnë masën kritike që Komiteti i Ministrave në rang ambasadorësh të marrë masa për ta vendosur në agjendë dhe trajtuar këtë çështje së shpejti.”-shkruan ai.