Shah-mat rus: Popujt e vegjël janë gjithmonë lodra në duart e fuqive të mëdha – Nga Rushan Xhaferi

0
65
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rushan Xhaferi

Putini luan shah. Evropa luan damë. Amerika luan me gazin dhe Ukraina luan me zjarrin. Pa e vrarë fare mëndjen, të humburit janë qytetarët e Ukrainës. Ndoshta dhe presidenti i Ukrainës mund ta hajë ndonjë plumb qorr apo një ekzekutim publik. Putini nuk është Sarkozy dhe Zelensky nuk është Kadhafi.

Pse kjo luftë? Prej më shumë se një muaj, Biden vepronte sikurse donte që lufta të fillonte. Përballë një Putini me një bidon benzine, presidenti amerikan tundte shkrepsen. Përse? Për ti rënë sa më shkurt, Amerika ka shumë gaz shisti për të shitur dhe tregu evropian është një klient i ri dhe shumë i dëshirueshëm për pangopësine amerikane. Të tjerat janë detaje dhe për fat të keq ukrainasit po kthehen si sirianët apo afganët. Viktima dhe refugjatë të detyruar për shkak të një konflikti që nuk u përket. Popujt e vegjël janë gjithmonë lodra në duart e fuqive të mëdha.

Putini luan shah dhe strategjia e tij duket se po funksionon. Mbas pak ditë lufte, frika se Putini mund të sulmoj shtete, që këtë herë bëjnë pjesë në NATO, po kap Evropën. Deklaratat se NATO nuk do të lejojë që asnjë anëtar i saj të preket po bën që Putini ta ketë fituar luftën psikologjike. Dhe çfarë është akoma më shqetësuese, ngelet fakti që pas dy ditë lufte, perëndimorët i ofruan strehë presidentit ukrainas duke i thënë të braktiste çdo gjë për të shpëtuar kokën e tij. Po populli?  Hahahaha! Me një fjalë, Amerika dhe Evropa hoqën dorë nga Ukraina dhe po bëjnë kërcënime në rast se rusi i tmerrshëm do të kishte ambicie akoma më të mëdha. Frika e një luftë e tretë botërore është sa e tmerrshme por dhe imagjinare.

Evropa është në mes nevojës së domosdoshme të gazit rus dhe presionit amerikan për të bërë kontrata për gazin amerikan që duhet kohë të vijë deri tek dyert e Francës dhe Gjermanisë. Biden ka akoma kohë politike dhe masakra e mijëra ukrainasve do sjellë ujë në burimin e tij. Sanksionet që do t’i bëhen Rusisë janë justifikime për të thënë që ne po veprojmë kundër despotit rus, por e rëndësishme është dëshira për Biden që Evropa të kthehet nga Amerika për nevojat e saj energjitike gjë që do të ishte trashëgimia i tij më e madhe në mandatin e tij të parë. Evropa luan damë sepse po shkëmben një furnitor për një tjetër, një varësi energjitike të vjetër për një të re, ndërkohë që energjitë e rinovueshme janë e ardhmja dhe pavarësia energjitike.

A është Putini kriminel? Sigurisht. Bushët, bab e bir, janë përgjegjës për 4 milionë viktima në Lindjen e Mesme. Krahas tyre, Putini është një kriminel diletant. Lufta e Putinit në Ukrainë është shumë e dobët. Është një luftë për të treguar dhëmbët. Ukraina nuk do të shkatërrohet si Iraku, Siria apo Libia. Sarkozy vrau Kadhafin dhe çoi Libinë në një tmerr të vërtetë. Shkatërrim total të vëndit dhe të jetës së miliona personave. Për më tepër, Libia u kthye në një vënd ku për 300-400 Euro mund të blije një skllav. Tregu skllavëror ishte në formë ankandi për imigrantët që vinin nga gjithë Afrika. Kush u indinjua? Amerika shkatëroi Irakun. Askush nuk bojkotoi mallrat amerikane. Arabia Saudite po bombardon Jemenin. Qetësi totale.

Pse Putini vepron në këtë mënyrë? NATO bombardoi Serbinë pa asnjë mandat të OKB dhe pa paralajmëruar Rusinë dhe ky bombardim u bë gjatë Pashkëve Ortodokse. Në atë kohë, presidenti i Rusisë ishte njëfarë Boris Yeltsin. I pirë nga mëngjesi deri në darkë presidenti rus trajtohej nga Perëndimi si një brigadier kooperative. Këto fyerje pupulli rus nuk i ka gëlltitur dot.

Së pari, Putini i ktheu një lloj krenarie të humbur popullit rus. Së dyti, gjatë periudhës së Putinit, rusët arritën të kapnin fuqinë blerëse të humbur gjatë viteve me Yeltsin, kur nga ana tjetër pasuritë e Rusisë u copëtuan dhe u shitën për një copë bukë. Më së fundi, presioni i brëndshëm për trajtimin e rusofonëve në Ukrainë në zonën e Donbas ishte një prioritet për Putinin. Donbas është për Rusinë siç është Kosova për Shqipërinë. Nga ana tjetër, Putini mori si shembull Kosovën për të legjitimuar të drejtën për autonomi të Donbasit.

Indinjimi humanist i vërtetë është kur jeta njerëzore nuk ka vlerë vetëm për persona që na ngjajnë. Humanisti i vërtetë indinjohet për të gjitha viktimat e luftrave. Indinjohet njësoj si për jemenitët dhe për ukrainasit. Për uigurët muslimanë në Kinë, por edhe për palestinezët. Indonjohet për sirianët, irakianët dhe afganët.

Propaganda anti-Putin e ka bërë punën e saj dhe na pengon nga ana konjitive të shohim të vërtetën dhe analizojmë me qetësi se çfarë po ndodh. Në këtë moment, çdo gjë ruse po hidhet në plehra. Kur Amerika i deklaroi luftë Irakut dhe e shkatërroi për disa javë, nuk u bojkotua asgjë që vinte nga Amerika. Përkundrazi, ishin mallrat franceze që u bojkotuan nga amerikanët sepse Franca ishte kundër luftës në Irak.

Ne fillimet e tij si president, Putini iu drejtua Evropës për bashkëpunin dhe krijimin e një Evropë ku Rusia të ishte një partner shumë i ngushtë. Evropa, Anglia, Gjermania dhe Franca mbi të gjitha, i thanë pak a shumë: Ik shporru se nuk duam. Por duhet t’i thoshin të vërtetën, që ishte edhe në qoftë se duam ne, nuk na lë Xhaxhai nga Amerika. Rruga e Perëndimit e mbyllur, ngeli vetëm Lindja për presidentin rus. Por dhe krijimi i BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut). Evropa humbi një partner dhe krijoi një bazë të rëndësishme për këtë konflikt dhe të tjerë të ardhshëm. Konfliktet e reja lindin nga plagët e vjetra.

Kërkesa e Ukrainës për të hyrë në BE është mëse legjitime dhe i përket popullit ukrinas. Problem është se kushti për të hyrë në Evropë është anëtarësimi në NATO. Një tjetër bazë amerikane më afër Rusisë. Baza amerikane në Kosovë ka një “Guantanamo” të vogël për të burgosur të dyshuarit për terrorizëm pa asnjë provë dhe pa u dhënë asnjë të drejtë. E po pastaj? Jo hiç. Të Drejtat e Njeriut janë mbyllur në një kasafortë në Zvicër dhe vendet demokratike kanë humbur çelësin.  Kur qeveritë e Ukrainës janë pro Amerikës, kjo influence shihet si pozitive. Kur presidenti ukrainas është pro rus, është një lodër në duart e Putinit. Një influencë qënka më e mirë se një tjetër.

Lufta e Tretë Botërore do të ndodhë në Polin e Veriut dhe për Polin e Veriut. Rezervat më të mëdha të gazit dhe të naftës ndodhen nën borën e bardhë ku duhet nxjerrë petroli i zi për të mbushur xhepat e disa miliarderëve me bileta jeshile, si gjithmonë amerikane. Por lufta më e tmerrshme do të ndodhë në hapësirë. Kur Rusia shkatërroi një satelit të saj në hapësirë që nga Toka, mesazhi ishte shumë i qartë. Një luftë e tillë do të na rikthejë në 1950. Nuk ka më internet, nuk ka më telefona inteligjentë, s’ka më rrjete sociale. Ndoshta është më mirë. Ndoshta një luftë për të shkatërruar satelitët duhet shpresuar.

Duke djallëzuar Putinin, Rusinë dhe rusët, është më kollaj t’u vësh sanksione por akoma më kollaj të justifikosh çdo lloj mase kundër tyre. Atletët dhe sportistët rus janë antagonizuar prej kohësh me arsyen sepse dopohen. Kur dopohen sportistët evropianë, amerikanë apo kanadezë faji është individual. Për sportistët rusë e ka fajin sistemi i Putinit.

Është kollaj të thuash që Putini është djalli dhe të tjerët janë engjëj. Por thënë kjo, nuk kemi thënë asgjë. Në këtë konflikt të radhës, Amerika hodhi gurin dhe fshehu dorën. Është Ukraina që po luan me zjarrin, sepse Putini është serioz dhe i vendosur në planin e tij dhe nuk mund të trajtohet si një hiç sepse është mungesë konsiderimi, sidomos për popullin rus. Përderisa populli rus zgjodhi këtë personazh (mirë apo gabim) i takon këtij populli të zgjidhë problemet e tij të brendshme. Nga ana tjetër, cili popull është i kënaqur nga liderët e tij? Franca apo Italia? Amerika apo Kanadaja? Apo Shqipëria?

Kievi po shkatërrohet për qëllimet e Amerikës. Kush e ka radhën pas Ukrainës?

Zjarr Tv Ad