Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka ironizuar kryeministrin kosovar Albin Kurti për mënyrën e menaxhimit të fushatës së vaksinimit.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Shahini me tone ironizuese shkruan se kur Kurti vinte në Tiranë për të bërë opozitën do të kishte bërë mirë nëse do të kishte ndaluar edhe në qendrat e vaksinimit për të mësuar nga menaxhimi i procesit.
“Kur Kryeministri i Kosovës me ekip dhe makina zyrtare shkoi në Tiranë për të bërë opozitë, apo Presidentja e Kosovës shkoi për të pushuar në bregdet, do të kishin bërë mirë të kishin ndaluar shkurtimisht edhe në qendrat e vaksinimit. Besoj se do të kishin mësuar diçka nga menaxhimi i procesit të vaksinimit dhe do të kishin kursyer qytetarët e moshuar të Kosovës nga trajtimi i padinjitetshëm dhe tmerrësisht i rrezikshëm për shëndetin e tyre, që pamë të mërkurën dhe sot te qendra e vaksinimit në Prishtinë.
Fotoja këtu është nga qendra e vaksinimit në Durrës. Njësoj duken edhe qendrat e qyteteve të tjera, duke përfshirë Tiranën që ka më së shumti frekuentim”- shkruan Shahini.
Besa postimin e saj e ka shoqëruar edhe me një foto në të cilën paraqitet një qendër vaksinimi në Durrës, duke shtuar se të gjitha qendrat e vaksinimit në Shqipëri duken kështu.
Besa përmes kësaj fotoje është sikur t’i ketë thënë Kurtit që të marri shembull nga Shqipëria, pasi pavarësisht fluksit, nuk ka dyndje.