Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përfundimtar të dy efektivëve të patrullës së policisë, pas denoncimit në një emision investigativ mbrëmjen e sotme.
Në videon e transmetuar në “Stop”, efektivët i bënin presion qytetarëve se do t’i çonin në Komisariat për “veprime të turpshme” pasi i kapnin në momente të sikletshme me të dashurat në makinë.
Policia e Shtetit thotë në një reagim pas transmetimit të kronikës, se Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe AMP kanë nisur tashmë hetim për rastin në fjalë.
Reagimi i Policisë së Shtetit:
Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike, në emisionin investigativ “STOP”, ku u shfaqën dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në shpërdorim të plotë të detyrës dhe në shkelje të hapur të etikës dhe të komunikimit, duke i marrë një shumë parash, me anë të akteve korruptive, drejtuesit të një automjeti që kishte ndaluar në anë të rrugës, në Kashar, sqarojmë opinonin publik se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë përjashtimin përfundimtar nga radhët e Policisë së Shtetit, të dy punonjësve të Patrullës së Përgjithshme, inspektorëve Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin e thelluar disiplinor, për shkelje të rëndë disiplinore, ndaj specialistit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, Nënkomisar A. K., si dhe ndaj shefit të Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr. 6, Komisar V. I.
Njëkohësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal në lidhje me këtë rast.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderon drejtuesit e emisionit “STOP” dhe inkurajon median dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të korrupsionit, të abuzimit me detyrën apo shkelje të kodit të etikës dhe sjelljes me qytetarët, duke iu garantuar se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit që të largojë nga radhët e Policisë së Shtetit, punonjës të tillë që njollosin emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit.