SHBA çon ushtrinë në kufi me Meksikën

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pentagoni po dërgon mbi 5.200 trupa në kufirin me Meksikën, ndërsa mijëra emigrantë të Amerikës Qendrore janë nisur në një karvan drejt SHBA-së. Emigrantët janë ende rreth 1.600 km larg nga kufiri i SHBA.

Gjenerali Terrence O’Shaughnessy tha se operacioni do të fokusohej në Teksas, Arizona dhe Kaliforni.

O’Shaughnessy tha se trupat ushtarake do të shpërndahen deri në fund të javës me armë, helikopterë, aeroplanë, do vendosen barriera, si edhe milje tela me gjemba për të mbështetur agjentët e patrullimit kufitar. Presidenti Donald Trump më herët tha se emigrantët ‘pushtues’ do të gjejnë ushtrinë amerikane në pritje të tyre

“Nëse ata aplikojnë për azil, ne do t’i mbajmë derisa të zhvillohet gjyqi i tyre. Do t’i mbajmë, do të ndërtojmë ‘qytete me tenda’, do të ngrejmë tenda në të gjithë vendin,”-u shpreh Trump në një intervistë të hënën.

Janë tashmë 2.100 anëtarë të Gardës Kombëtare në kufi, të dërguar pas një kërkese të mëparshme nga Presidentit amerikan në prill. Të dy palët politike janë akuzuar për përdorimin e emigrantëve për përfitime zgjedhore vetëm 1 javë para se amerikanët të shkojnë në votime. Në zgjedhjet afatmesme më 6 nëntor, Partia Republikane e Presidentit Trump do të kërkojë të mbajë të dyja dhomat e Kongresit larg nga duart e demokratëve.

Ushtarët do të vendosen në pikat hyrëse të kufirit, të paktën në fazën fillestare të misionit i koduar nga Pentagoni me emrin “Patrioti Besnik”. Më pas trupat do të ndihmojnë policinë kufitare të ngrejë tenda, do të ofrojnë mbështetje mjekësore dhe do të ndihmojnë stafin e qendrave të komandës dhe kontrollit.

1.800 trupa do të shkojnë në Teksas, 1.700 në Arizona dhe 1.500 në Kaliforni.

 

Javën e kaluar, ish-presidenti Barack Obama akuzoi pasardhësin e tij Donald Trump se po e përdor rastin e karvanit të nisur nga Amerika Qendrore politikisht në prag të zgjedhjeve të Kongresit. Obama tha se Trump po mundohet të ushqejë frikën tek amerikanët dhe përmes planit për dërgimin e trupave synon të sigurojë mbështetjen e tyre.

 

Zjarr Tv Ad