Shtetet e Bashkuara dhe India janë të përkushtuara për të punuar së bashku për luftim të pandemisë së koronavirusit, teksa India përpiqet të vaksinojë popullsinë e vet prej 1.3 miliard banorëve, ndërkohë që zgjerohet vala e dytë e pandemisë në këtë shtet.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë më 28 maj se Uashingtoni dëshiron ta bëjë të qartë se do të marrë hapa për t’i ndihmuar Indisë në krizën me pandeminë. “Në ditët e para të pandemisë, India ka qenë aty për Shtetet e Bashkuara – diçka që ne kurrë nuk do ta harrojmë”, ka thënë Blinken.
“Tani ne duam të sigurohemi se do të jemi aty për Indinë”. Ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar, që ka kaluar javën e kaluar në SHBA, me qëllim të sigurimit të ndihmës, ka qenë afër Blinkenit, teksa ky i fundit ka folur nga Departamenti i Shtetit.
Jaishankar ka thënë se India është mirënjohëse ndaj SHBA-së për “mbështetjen e fuqishme dhe solidaritetin në këtë moment shumë të vështirë për ne”. India ka regjistruar më shumë se 27 milionë raste me koronavirus dhe mbi 318,000 të vdekur, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. India është vendi i dytë pas Shteteve të Bashkuara sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, mirëpo të dyja shifrat besohet se janë shumë më të ulëta pasi situata mund të jetë më e rëndë. Aktualisht, vetëm 3 për qind e popullsisë në Indi është vaksinuar plotësisht.