SHBA kërkon pezullimin e taksës ndaj Serbisë

0
4
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Diplomacia amerikane i ka përsëritur Kosovës edhe një herë se taksa që vendi po aplikon ndaj fqinjit të saj verior po dëmton arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Në nisje të vizitës së tij dyditore në Ballkan, nënsekretari amerikan i shtetit për çështjet politike, David Hale, pas një takimi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, ftoi palët që t’i qëndrojnë larg provokimeve. Qëndrimet e zyrtarit amerikan u përçuan paradite nga Ambasada amerikane në Serbi.

“SHBA-të kërkojnë që të pezullohen tarifat e Kosovës, të ndalen provokimet nga të dyja palët dhe të vazhdohet dialogu. Ne e vlerësojmë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie edhe më të fuqishme me të.”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Beogradi në të ardhmen e afërt po mendon t’i kundërpërgjigjet Kosovës për veprimet e saj të njëanshme në dëm të dialogut. Ai renditi si pengesa të pakapërcyeshme mosnjohjen nga ana e Kosovës të asociacionit të komunave serbe dhe vendosjen e tarifës doganore ndaj produkteve vendase. Ndërkaq, sipas Vuçiç, miratimi një ditë më parë nga parlamenti i Kosovës i së ashtuquajturës “platforma për dialog” i ka dhënë goditjen e fundit kompromisit dypalësh.

Presidenti serb shtoi se parakushti i platformës për të njohur Kosovën si shtet i pavarur brenda kufijve territorialë aktualë ka vështirësuar më tej dialogun dhe se për këtë fakt ka vënë në dijeni edhe zyrtaren e lartë europiane, Federica Mogherini.

Pas takimit me krerët shtetërorë të Serbisë, nënsekretari amerikan Hale pritet të vizitojë të shtunën Prishtinën, ku ai ka paralajmëruar se nuk do të parashtrojë receta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, porse do i ftojë palët të shohin drejt pajtimit brenda këtij viti.

 

Zjarr Tv Ad