SHBA nuk i pagoi Phenianit 2 milionë dollarë

0
9
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shtetet e Bashkuara nënshkruan një dokument ku pranojnë të paguajnë 2 milionë dollarë për koston e kujdesit shëndetësor për amerikanin Otto Warmbier, i cili u burgos nga Pheniani, tha të dielën këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton. Por zoti Bolton thotë se pas nënshkrimit, dokumenti u la në harresë dhe Uashingtoni nuk e pagoi ndonjëherë shumën.

“E kam fare të qartë, pasi pashë dokumentin pak ditë më parë, se askush nuk ka paguar asgjë,” tha zoti Bolton për emisionin televiziv Fox News Sunday.

Këshilltari i Presidentit Trump po konfirmonte njoftimet e ditëve të fundit se Koreja e Veriut kërkonte pagesë kur ia dorëzoi të riun Warmbier autoriteteve amerikane në gjendje kome, afro dy vjet më parë. Ai vdiq pak ditë pasi u kthye në atdhe.

Otto Warmbier ishte student në Universitetin e Virxhinias dhe po vizitonte si turist Korenë e Veriut kur u arrestua në janar 2016 dhe u dënua me 15 vjet burg pasi ishte përpjekur të vidhte një parullë propagandistike nga muri i hotelit.

Autoritetet koreano-veriore thonë se Warmbier ra në koma natën që iu dha dënimi në mars 2016. Mjekët amerikanë që e vizituan pas kthimit, nuk kanë qenë në gjendje të diagnostikojnë shkakun e dëmtimeve në tru, por thonë se nuk ka shenja që ai ishte rrahur.

Gjatë takimit në Hanoi në shkurt, Presidenti Trump tha se e pranon përgjigjen e udhëheqësit koreano-verior se ai nuk dinte se çfarë i kishte ndodhur amerikanit Warmbier në burg, megjithëse kjo ishte një çështje tepër delikate.

Pasi shpallën dënimin ndaj tij, koreano-veriorët nuk informuan as familjen, as autoritetet amerikane se studenti Warmbier kishte qenë pa ndjenja prej 15 muajsh. Pasi u mor vesh se ai ishte në koma, filluan përpjekje të ethshme për ta kthyer djalin në atdhe. I dërguari i Departamentit të Shtetit në Korenë e Veriut, Joseph Yun nënshkroi në atë kohë dokumentin për pagesë.

 

Zjarr Tv Ad