SHBA: Reforma në drejtësi do krijojë një klimë biznesi të drejtë

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Shtetet e Bashkuara kanë besim se reforma në drejtësi do të krijojë një klimë biznesi të drejtë, transparente dhe të parashikueshme, e cila është më e mirë për bizneset tuaja dhe për të gjitha kompanitë amerikane të frymëzuara për të investuar në Shqipëri” -deklarata vjen nga zëvendës Ambasadori në Detyrë, Dan Koski në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Çdo vit, Shqipëria humbet miliona dollarë në investime të huaja direkte të mundshme, kryesisht për shkak të perceptimeve negative të klimës së saj të biznesit. Por ka një lajm të mirë në horizont.Për të gjithë investitorët e mundshëm, si kompani amerikane ashtu edhe ato perëndimore, kam ardhur me një mesazh: sistemi ligjor i Shqipërisë po ndryshon dhe një klimë më e mirë biznesi ju pret këtu.”- u shpreh Koski ndërsa listoi gjashtë shembuj se si sipas tij reforma në drejtësi do të përmirësojë klimën e biznesit të Shqipërisë.

Fjala e plotë e Zv/ambasadorit të SHBA:

Jam i nderuar që jam këtu sonte. Dua të filloj duke i dhënë lamtumirën Mark Crawford, kryetarit në largim të Dhomës dhe Enida Bezhanit, ish-drejtore ekzekutive e Dhomës Amerikane. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, më lejoni të shpreh vlerësimin tim për mbështetjen dhe shërbimin tuaj ndaj Dhomës. Faleminderit të dyve!

Siç e dinë shumë prej jush, Ambasada ka bashkëpunuar me Bordin e Drejtorëve të Dhomës Amerikane gjatë vitit të kaluar për të nxitur një rrugë reformash. Falë atyre përpjekjeve tani kemi një Bord Drejtorësh më të vogël që mund të marrë vendime më shpejt dhe të ndërmarrë rreziqe, kemi kufizime të numrit të mandateve për anëtarët e bordit dhe kompanitë e tyre për të nxitur ide të reja dhe energji të reja, si dhe kemi kategori të reja të anëtarësimit të përgjithshëm që do të nxisin më shumë kompani amerikane dhe qytetarë amerikanë për t’iu bashkuar Dhomës.

Faleminderit të gjithëve që votuat për të mbështetur këto reforma të nevojshme!

Dhoma është në drejtimin e duhur. Megjithatë, ka ende punë për të bërë për të përmirësuar klimën e investimeve të Shqipërisë.

Çdo vit, Shqipëria humbet miliona dollarë në investime të huaja direkte të mundshme, kryesisht për shkak të perceptimeve negative të klimës së saj të biznesit. Por ka një lajm të mirë në horizont.

Për të gjithë investitorët e mundshëm, si kompani amerikane ashtu edhe ato perëndimore, kam ardhur me një mesazh: sistemi ligjor i Shqipërisë po ndryshon dhe një klimë më e mirë biznesi ju pret këtu.

Si do ta përmirësojë reforma në drejtësi klimën e biznesit të Shqipërisë? Më lejoni t’ju jap gjashtë shembuj.

Së pari, një gjyqësor etik dhe i ndershëm do të sigurojë që prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar më në fund të mbahen përgjegjës. Ditëve të marrëveshjeve të pista dhe drejtësisë së mohuar po u vjen fundi.

Një sistem i drejtësisë penale që është i ashpër me korrupsionin dhe krimin e organizuar do të sigurojë tek bizneset e ligjshme besimin që interesat e tyre do të mbrohen.

Së dyti, një sistem gjyqësor i reformuar do të zbatojë paprekshmërinë e kontratës. Investitorët e huaj dhe vendas kërkojnë sigurinë që kontratat do të respektohen dhe zbatohen. Investitorët duhet të kenë besim se ata do të kompensohen për shitjen e produkteve dhe shërbimeve të tyre sipas kushteve të miratuara nga secila palë.

Së treti, një sistem ligjor i drejtë dhe i pavarur do t’i nxisë bizneset të kërkojnë regjistrim zyrtar dhe do të pengojë aktorët e pandershëm të paguajnë ryshfet për të shmangur detyrimet e tyre tatimore. Investitorët e respektuar përpiqen të qëndrojnë në përputhje me ligjin dhe të paguajnë taksat e tyre. Megjithatë, pronarët e bizneseve janë ankuar se shumë nga konkurrentët e tyre të huaj dhe vendas – përfshirë shumë kompani që veprojnë jozyrtarisht në Shqipëri – nuk paguajnë taksa. Një gjyqësori i reformuar do të ndihmojë në balancimin e hapësirës për çdo biznes me reputacion që vepron në Shqipëri.

Së katërti, një gjyqësor i drejtë dhe i pavarur do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pronës së patundshme. Investitorët përmendin kaosin rreth pretendimeve pronësore si një shembull se si sistemi ligjor ka penguar rritjen ekonomike afatgjatë në Shqipëri. Në një rast tipik, një familjeje iu kthye një parcelë prone, por nuk ishte në gjendje ta merrte përfundimisht pronësinë për më shumë se 20 vjet. Më vonë dolën pretendues të tjerë, dhe, pas dyerve të mbyllura, ata i bindën gjyqtarët se toka duhej t’iu jepej atyre. Kjo praktikë nën rrogoz të vjedhjes së pronës së njerëzve të tjerë do të ndalet së shpejti.

Së pesti, një sistem ligjor profesional do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Idetë dhe njohuritë janë një pjesë jetike e tregtisë dhe investimeve dhe investitorët kërkojnë besim që të drejtat e tyre të pronësisë intelektuale respektohen dhe shkelësit do të nxirren para drejtësisë.

Së fundi, një sistem ligjor i ndershëm dhe funksional do të sigurojë që zyrtarët e korruptuar ose do ta mendojnë dy herë – ose do të paguajnë çmimin – për kërkimin e ryshfetit. Korrupsioni në portet dhe pikat e kontrollit kufitar është një nga faktorët më problematikë për investitorët dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe një problem që u përmend në Indeksin e Biznesit të Dhomës Amerikane të këtij viti. Nëse zyrtarët e korruptuar të doganave nuk do të bëjnë punën e tyre, një sistem ligjor i reformuar do t’i largojë për të krijuar hapësirë për njerëz me reputacion që do të bëjnë punën.

Shtetet e Bashkuara kanë besim se reforma në drejtësi do të krijojë një klimë biznesi të drejtë, transparente dhe të parashikueshme, e cila është më e mirë për bizneset tuaja dhe për të gjitha kompanitë amerikane të frymëzuara për të investuar në Shqipëri.

Zjarr Tv Ad