Ceremonitë për 70-vjetorin e themelimit të NATO-s janë kthyer në një arenë përplasjeje midis ShBA-së dhe Turqisë. Zv./presidenti amerikan, Mike Pence, i bëri thirrja Turqisë të zgjedhë midis NATO-s dhe sistemit rus të mbrojtjes nga raketat S-400.
Shtetet e Bashkuara po shtojnë presionin ndaj Turqisë për të anuluar marrëveshjen për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400.
Gjatë një fjalimi me rastin e 70-vjetorit të themelimit të NATO-s, zv./presidenti amerikan Mike Pence e paralajmëroi Ankaranë se blerja e një sistemi të tillë është kërcënim për ShBA-në dhe NATO-n.
“Turqia duhet të zgjedhë. Dëshiron të mbetet një partner i besueshëm i aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e botës? Apo dëshiron të rrezikojë sigurinë e partneritetit duke ndërmarrë vendime të pamatura që minojnë aleancën tonë?”
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u përpoq të qëndrojë i baraslarguar në përplasjen Uashington-Ankara dhe tha se shpreson se të dy palët do të gjejnë një mënyrë për ta “zgjidhur problemin.”
“Unë vetëm do të përpiqem t’i lehtësoj bisedimet ndërmjet aleatëve që janë drejtpërdrejt në këtë çështje,” tha ai.
I menjëhershëm ishte përgjigja e zv./presidentit turk Fuat Oktay, që e pyeti ShBA-në nëse e dëshiron Turqinë një partner apo do të bashkojë forcat me terroristët, duke kërcënuar aleatët e NATO-s.
ShBA-ja ka filluar të veprojë dhe ka njoftuar bllokimin e marrëveshjes dypalëshe për avionët luftarakë F-35.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo gjatë takimit me homologun tuk Mevlut Çavusoglu, ngriti edhe shqetësimin e ndërhyrjes ushtarake turke në Siri.
Sipas një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit, Pompe tha se ndërhyrja e njëanshme e Turqisë në rajon do të kishte pasoja.