Jurgen Stock, sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, ka mbërritur këtë të shtunë në Tiranë dhe është takuar me kreun e Policisë shqiptare, Muhamet Rrumbullaku. Vizita e tij vjen tre muaj pas asaj të Rrumbullakut në Qendrën e Interpolit, në Lyon, Francë.
“Ju përgëzoj dhe ju vlerësoj për rezultatet e arritura së fundi, për rritjen e besueshmërisë te partnerët dhe te agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Tashmë Policia e Shtetit është e aftë të drejtojë operacione të përbashkëta me partnerët”, ka thënë Stock.
Gjatë takimit me Rrumbullakun u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit, për të arritur rezultate edhe më të mira në luftën ndaj sfidave globale, në fushën e luftës kundër kriminalitetit, veçanërisht kundër narkotikëve, trafiqeve, pastrimit të parave, krimit kibernetik etj.
Drejtori Muhamet Rrumbullaku e ka falënderuar Stock për mbështetjen dhe besimin që Interpoli i ka dhënë dhe po i jep Policisë së Shtetit. Ai ka theksuar se organizata që ai drejton është e vendosur për ta zgjeruar bashkëpunimin me Interpolin dhe me të gjitha agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
“Siç ju informova edhe gjatë vizitës time në Lyon, jam shumë i vendosur në kërkesën për ndërmjetësim dhe mbështetje nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit, për kapjen e personave në kërkim jashtë hartës së vendeve që kanë marrëveshje me Shqipërinë. Ky ndërmjetësim do të sillte reagim të dyanshëm dhe shkëmbim informacioni në kohë reale me këto vende, për kapjen e personave në kërkim”, është shprehur Rrumbullaku.
Jurgen Stock e garantoi Drejtorin e Përgjithshëm se Interpol do të vijojë ta mbështesë Policinë shqiptare, duke ndërmjetësuar me vendet me të cilat Policia e Shtetit nuk ka marrëveshje bashkëpunimi, sepse Interpol e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në funksion të luftës kundër krimit.