Nga Tritan Shehu.
Rama – i dështuar, gjendja tragjike kufitare nuk zgjidhet me arnime. Situata në përkeqësim aty, që ka si arsye keqmenaxhimin e pandemisë prej tij duke na futur në një krizë të rëndë shëndetësore e izolim, të identifikuar si “delja e zezë Covid” në Europë, kërkon një zgjidhje afatgjatë e jo vetëm për 24 orë!
Një nga shkaqet kryesore të kësaj është numri i ulët “afrikano qendror” i testimeve dhe bllokimi me dhunë si talebanët, i laboratorëve për shumë muaj, duke krijuar një dëm të pallogaritshëm në nivelin shëndetësor e izolimin e vendit, që tashti duhet kohë për t’u rikuperuar.
Sidoqoftë, së paku për të stabilizuar disi atë gjendje në kufirin me Greqinë, qeveria jonë duhet të organizojë me urgjencë e në marrëveshje me palën greke:
Testimin e vazhduar PCR 24-orësh, direkt në të katër pikat kufitare, duke aktivizuar të gjitha kapacitetet e mundshme laboratorike apo dhe të tjera të kontraktuara nga jashtë, siç bëhet kudo në botë.
Ky duhet të jetë propozimi i parë i yni ndaj palës greke, e cila çdo ditë po realizon për shqiptarët në kufi më shumë testime se sa shteti ynë bën në të gjithë vendin, pikërisht për të përmirësuar gjendjen aktuale e për të filluar lehtësimin e regjimit të kalimit të qytetarëve tanë në tërësi jo vetëm drejt Greqisë, por më tej dhe vendeve të tjera.
Gjithashtu është i domosdoshëm edhe realizimi në nivel vendi minimalisht i 2500 testeve të tjera PCR ditore gratis, përveç disa mijëra serologjike.
Rama nuk mund të fshehe përgjegjësitë e tij e as gjendja nuk përmirësohet duke u sjellë si një ufo i sapoarritur në Shqipëri, as si struci, apo vetëm duke iu lutur palës greke në këto momente shumë të vështira për sot dhe për nesër.