Gjashtë sekonda u deshën për të hedhur në erë me shpërthime të kontrolluar në orën 9:37 të së premtes dy shtyllat e urës Morandi pranë qytetit verior italian të Genovas. Ky veprim do t’i hapë rrugë ndërtimit të një strukture të re pas shembjes dramatike që u mori jetën 43 vetëve 14 gushtin e kaluar, midis tyre dhe dy shqiptarë.
Inxhinierët përdorën rreth 550 kilogramë material shpërthyes për të shembur dy shtyllat e urës Morandi, ndërsa makinat ujëhedhëse u përdorën për të spërkatur mbi 40 mijë ton çelik dhe beton me qëllim për të parandaluar retë gjigante të pluhurit të ngriheshin mbi qytet.
Mbi 3400 vetë u evakuuan nga shtëpitë e vendosura brenda një rreze prej 300 metrash dhe u dërguan në disa qendra pritëse. Banorët do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre vetëm pas shpërndarjes së pluhurit dhe vlerësimit të cilësisë së ajrit nga agjencitë e mjedisit.
Çmontimi i urës Morandi filloi që në shkurt të këtij viti, ndërkohë shembja e urës ka shtuar kaosin në trafik, vështirësuar hyrjen për në portin e Genovas dhe zgjatur rrugën për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në Francën Jugore.
Qeveria e përbëra nga Lëvizja Pesë Yjet dhe Lidhja kërkon rindërtimin e shpejtë të urës. Ndërsa mbetet e paqartë nëse do të anulohet koncesioni i mirëmbajtjes ndaj kompanisë “Autostrade per l’Italia”.
Roma e ka akuzuar operatorin se dështoi ta mirëmbajë urën, ndërsa kompania i mohon akuzat dhe thotë se inspektimet e rregullta të mbikëqyrura nga shteti tregonin se ura e vjetër ishte e sigurtë