Banorët e Paskuqanit, Laprakës, Babrrusë, qindra familje, që janë lajmëruar se do t’iu shemben shtëpitë për shkak se preken nga projekti i Unazës së Madhe, kanë arritur sot të marrin një përgjigje gjysmake nga Ministria e Infrastrukturës se javën që vjen, nga e marta ose e mërkura do t’iu mundësohet një takim me ministren Belinda Balluku për çështjen e banesave të tyre.
Banorët kanë pritur 2 orë e gjysëm në dyert e ministrisë për të mësuar se si do të veprohet me familjet që kanë mbetur peng prej dhjetëra vitesh i një procesi legalizimi që nuk u bë kurrë.
Gazetari Bled Marku, vetë një nga të prekurit nga këto shembje, tha se pritën 2 orë 30 minuta për të përpiluar një letër ku thuhej se ministrja nuk ishte dhe mund të na priste javën tjetër.
Ndërsa një banor tjetër, shtoi me ironi: “Pritëm 2 orë e gjysmë për një copë letër që të na thoshin se ministrja nuk ishte këtu, merreni me mend se sa do duhet të presim që të marrim dëmshpërblimin”.