Shembulli i Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara – dhe botën

0
39
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shqipëria mund të jetë ndër anëtarët më të vegjël dhe më të rinj të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Megjithatë, vendimi i fundit i qeverisë së saj për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me qeverinë iraniane si pasojë e një sulmi masiv kibernetik ndaj Tiranës këtë verë, qëndron ballëhapur, me plot kuptimin e fjalës.

Shqipëria ka akuzuar Iranin edhe për një sulm të dytë kibernetik, që synonte policinë e saj kombëtare, i cili u zbulua më 9 shtator.

As mësimet nga veprimet e Iranit dhe as reagimi i guximshëm i Shqipërisë nuk duhet të humbasin e të anashkalohen nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar. Të dyja duhet të mbartin një peshë udhëzuese për sa i përket përpjekjeve të vazhduara për të ringjallur marrëveshjen ndërkombëtare që detyron Iranin të ndalojë programin e armëve bërthamore si dhe duhet të na mësojnë të adresojmë në mënyrë të përgjegjshme kërcënimet e vazhdueshme të regjimit iranian ndaj stabilitetit rajonal dhe global.

Mes objektivave të tjera dashakeqe, sulmi mizor i Iranit ndaj platformave elektronike të qeverisë shqiptare në korrik u përpoq të shkatërronte infrastrukturën kritike nga e cila populli shqiptar varet për shërbime publike dhe jetike.

Por përse duhej një sulm i tillë ndaj shqiptarëve të pafajshëm?

Sepse 6 vite më parë, Tirana tregoi dhembshuri humanitare dhe kurajo morale në garantimin e strehimit për disa refugjatë iranianë, të dëbuar dhe shënjestuar prej kohësh nga Teherani, për shkak të përpjekjeve të tyre për një Iran demokratik.

Regjimi e konsideroi të patolereshëm madje edhe të dhunshëm, vizionin e këtij grupi për një Iran të lirë, – një Iran të përkushtuar ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, që jeton në paqe dhe në mënyrë progresive mes familjes së kombeve.

Mbi 100 nga disidentët, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, u vranë në kampin ku ishin strehuar për një kohë të gjatë në Irak, në një seri sulmesh nga forcat e udhëhequra nga Teherani. Gati 2.500 të mbijetuarit po kërkonin me dëshpërim një strehë të sigurt në momentin kur Shqipëria hapi krahët për t’i pranuar në paqe. E megjithëse Irani nisi komplote të njëpasnjëshme kundër disidentëve teksa ata kishin arritur në tokë shqiptare, përpjekjet e tyre u mposhtën nga shërbimet shqiptare të mbrojtjes. Duke mos pranuar të dorëzohej, Teherani ndryshoi taktikë duke nisur sulmet kibernetike kundër vetë shtetit shqiptar më 15 korrik.

Kur vendi u godit për herë të parë, sponsorët e sulmit kibernetik ishin të panjohur. Pas kësaj, ekspertë të sigurisë kibernetike të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar punuan me qeverinë shqiptare për të hetuar burimin dhe për të ndihmuar një aleat të NATO-s të rimëkëmbej nga sulmet. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Iranit për sulmin kundër Shqipërisë. Ky bashkim forcash hedh dritë mbi rëndësinë gjithnjë e më të nevojshme të bashkëpunimit mes aleatëve, në mënyrë që të mund të parandalojmë, të kundërpërgjigjemi dhe të rikuperohemi nga këto sulme kibernetike ndaj infrastrukturave kritike të shteteve demokratike.

Pasi përgjegjësia e Iranit u konfirmua plotësisht, kryeministri Edi Rama i refuzoi përpjekjet e përsëritura të Iranit për të mohuar dhe shmangur përgjegjësinë. Duke kuptuar se e keqja duhet përballur, Rama ndërmori një veprim vendimtar duke shkëputur marrëdhëniet me qeverinë e mullahëve dhe duke dëbuar diplomatët iranianë nga Shqipëria. Ky veprim i guximshëm nuk mund të ishte një vendim i lehtë për një komb paqedashës. Por ai ishte historikisht i rëndësishëm. Përgjigja e tij dërgoi një mesazh të rëndësishëm në kohën e duhur, duke i treguar regjimit iranian se brutalitetet e tij nuk do të tolerohen. Për më tepër, ai ishte një shembull për vendet e tjera në rajon – dhe në mbarë botën – të cilat janë të kërcënuara nga hakerat iranianë. Mbi të gjitha, ajo i tregoi komunitetit ndërkombëtar vendosmërinë e nevojshme në trajtimin e udhëheqësve iranian dhe lukunisë së zemërimeve publike që ata kanë tërhequr në rang global.

Para dhe qysh prej sulmeve të tyre kibernetike ndaj Tiranës, regjimi i mullahëve ka vazhduar të tregojë ngjyrat e tij të vërteta në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe rendin global. Ai dërgon dronë për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës. Ai vazhdon sponsorizimin e organizatave ndërkombëtare terroriste që vrasin dhe gjymtojnë të pafajshmit. Ai sulmon anijet që operojnë në ujëra ndërkombëtare. Dhe, më e rrezikshmja nga të gjitha, ai vazhdon kërkimet për të arritur aftësi bërthamore në mënyrë që të kërcënojë dhe zhvasë Lindjen e Mesme dhe botën, ndërkohë që bën sikur përpiqet të arrijë një marrëveshje bërthamore.

Si një nga kërcënimet më të vazhdueshme të botës për sa i përket paqes dhe stabilitetit global, regjimi iranian e ka kthyer në art, shmangien ndaj angazhimeve ndërkombëtare, duke krijuar në mënyrë strategjike fërkime të cilat e lejojnë të ushtrojë më tepër kontroll mbi qytetarët e tij. Ai i konsideron rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar si pengesa që duhen injoruar. Sipas vlerësimit të Teheranit, të drejtat e njeriut, normat ndërkombëtare dhe moderniteti janë kërcënime që duhen shuar. Udhëheqja iraniane mbetet antagonisti kryesor i demokracisë dhe liberalizimit në të gjithë Lindjen e Mesme, ku një e ardhme më e mirë për miliona njerëz nguron të ngrejë kokë. Kjo përfshin refuzimin e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar, madje edhe kundërshtimin dhe minimin aktiv të procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Realiteti është se udhëheqësit iranian do të vazhdojnë të veprojnë sipas një objektivi të vetëm – të ruajnë pushtetin e të kontrollojnë popullin e Iranit si dhe të shtrijnë dominimin e tyre në të gjithë rajonin, pa marrë parasysh koston njerëzore.

Ky model sjelljeje, përfshi sulmet ndaj Shqipërisë, flet shumë për sinqeritetin e Teheranit ndaj të qenit një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit global, përfshi këtu ndalimin e programit të tij bërthamor. Mohimet dështake të regjimit ndaj akuzave për sulmin kibernetik të korrikut reflektojnë qartazi mbi besueshmërinë e tij kur vjen puna tek arritja e një marrëveshjeje efektive mbi kontrollin bërthamor. Nga ana e saj, Shqipëria u ka treguar demokracive më të mëdha dhe më të vjetra, duke përfshirë edhe tonën, llojin e qartësisë morale, guximit dhe vendosmërisë që kërkohet për t’iu kundërvënë sjelljes së jashtëligjshme të Iranit në format e saj të shumta.

Qasja e komunitetit ndërkombëtar duhet të frymëzohet nga realiteti i ashpër se nëse sjellja e Iranit tolerohet pa përgjigje, ajo jo vetëm që do të vazhdojë, por do të bëhet edhe më e guximshme dhe më e rrezikshme për të gjithë ne. Mësime të tilla bota e lirë i injoron duke i ditur mirë pasojat.

Gjenerali James L. Jones, një ish-komandant i Forcave Detare, ish-komandant suprem i aleatëve të Evropës dhe ish-këshilltar i presidentit për sigurinë kombëtare, është kryetar ekzekutiv emeritus i Këshillit Atlantik. Ai është president dhe themelues i Jones Group International, i cili ofron shërbime këshillimore për sigurinë kibernetike për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rang global, duke përfshirë edhe Ballkanin. / via THE HILL

Zjarr Tv Ad