Shemsi Prençi, do të kandidojë për deputet në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në zgjedhjet e 25 Prillit. Prençi, do të jetë kandidat në Durrës.
Ditën e sotme, ai i ka paraqitur dorëheqjen Presidentit Ilir Meta, nga posti i këshilltarit për Çështjet e Emergjencave Civile. Këtë lajm, e ka bërë të ditur vetë Presidenti Meta, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale.
“Këshilltari për Çështjet e Emergjencave Civile, z.Shemsi Prençi, pasi më informoi si çdo ditë, për situatën e përmbytjeve në mbarë vendin dhe gjendjen e banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora, më njoftoi sot dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, për shkak të angazhimeve të tij të reja në të ardhmen.
E falenderova për këshillat e vlefshme, përkushtimin, korrektësinë, profesionalizmin dhe ndjenjat atdhetare të dëshmuara prej tij gjatë bashkëpunimit tonë të frytshëm për gati dy vite. Duke e pranuar dorëheqjen e z.Prençi, i urova suksese për të ardhmen”, ka shkruar Presidenti Meta.