Nuk ka asnjë provë se gjendja shëndetësore e Vladimir Putin është e rëndë, tha drejtori i CIA-s. Ka pasur shumë spekulime të pakonfirmuara mediatike se Putin, i cili mbush 70 vjeç këtë vit, mund të vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë, ndoshta nga kanceri.
Por William Burns tha se nuk kishte prova për ta vërtetuar një gjë të tillë, madje duke bërë shaka ai tha se Putin dukej “shumë i shëndetshëm”. Komentet e tij erdhën pasi SHBA njoftoi se do t’i siguronte Ukrainës më shumë armë me rreze të gjatë.
Më herët Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se fokusi ushtarak i Rusisë në Ukrainë nuk ishte më “vetëm” lindja dhe la të kuptohej se strategjia e Moskës kishte ndryshuar pasi Perëndimi furnizoi Ukrainën me armë të tilla.
Burns udhëtoi për në Moskë në nëntor për të paralajmëruar për pasojat serioze që do të kishte pushtimi i Ukrainës pas informacioneve që SHBA kishte mbledhur për planet e Rusisë.