Shesim vajzat dhe veshkat për të siguruar para”- Realiteti i hidhur ku jetojnë afganët, reportazhi i BBC: Fëmijët e uritur i japin ilaçe për t’i qetësuar

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Reportazhi i BBC/ Afganët u japin fëmijëve të tyre të uritur ilaçe për t’i qetësuar, të tjerët kanë shitur vajzat dhe organet e tyre për të mbijetuar.

Në dimrin e dytë që kur talebanët morën pushtetin dhe fondet e huaja u ngrinë, miliona njerëz janë një hap larg urisë.

“Fëmijët tanë qajnë dhe nuk flenë. Ne nuk kemi ushqim”, tha Abdul Wahab për BBC. “Kështu që shkojmë në farmaci, marrim ilaçe dhe ua japim fëmijëve tanë që të ndihen të përgjumur”.

Ai jeton jashtë Heratit, qyteti i tretë më i madh i vendit, në një vendbanim me mijëra shtëpi të vogla prej balte, të mbushura me njerëz të goditur nga lufta dhe fatkeqësitë natyrore.

Abdul është mes një grupi prej dhjetëra burrash që u intervistuan nga BBC. Të pyetur, a u jepnin drogë fëmijëve të tyre për t’i qetësuar, u përgjigjën: “Shumë prej nesh, të gjithë ne.”

Ghulam ka gjashtë fëmijë, më i vogli një vjeç. “Madje edhe atij i jap”, tha ai.

Të tjerë treguan tableta escitalopram dhe sertraline që thanë se ua jepnin fëmijëve të tyre. Ato zakonisht merren për të trajtuar depresionin dhe ankthin.

Mjekët thonë se kur u jepen fëmijëve të vegjël që nuk marrin ushqimin e duhur, ilaçe të tilla mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, së bashku me një sërë problemesh të tjera si lodhja kronike, gjumi dhe çrregullime të sjelljes.

Një grua tha se hanin bukë thatë në mëngjes dhe natën e lagnin me ujë.

OKB-ja ka thënë se një “katastrofë” humanitare po ndodh në Afganistan. Shumica e burrave në zonën jashtë Heratit punojnë si punëtorë me pagë ditore. Ata kanë vite që bëjnë jetë të vështirë.

Por kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar, fondet e huaja në Afganistan u ngrinë, duke shkaktuar një kolaps ekonomik që i la burrat pa punë.

Në ditën e rrallë që ata gjejnë punë, fitojnë afërsisht rreth 1 dollarë. Kudo që shkuam, gjetëm njerëz që detyroheshin të merrnin hapa ekstremë për të shpëtuar familjet e tyre nga uria.

Ammar (nuk është emri i tij i vërtetë) tha se kishte bërë një operacion për të hequr veshkën e tij tre muaj më parë dhe na tregoi shenjat e qepjeve, që kalonin nëpër barkun e tij nga pjesa e përparme e trupit deri mbrapa.

Ai është në të njëzetat, në atë që duhet të ishte kulmi i jetës së tij. Ne po e fshehim identitetin e tij për ta mbrojtur.

“Nuk kishte rrugëdalje. Kisha dëgjuar se mund të shisje një veshkë në një spital lokal. Shkova atje dhe u thashë se doja. Disa javë më vonë mora një telefonatë dhe më kërkuan të shkoja në spital”, tha ai.

“Ata bënë disa analiza, më pas më injektuan diçka që më bëri të pavetëdijshëm. Isha i frikësuar por nuk kisha zgjidhje.”

Ammarit iu pagua rreth 3.100 dollarë për të, shumica e të cilave shkuan për të shlyer paratë që ai kishte marrë hua për të blerë ushqim për familjen e tij.

“Nëse hamë një natë, nuk hamë tjetrën. Pas shitjes së veshkës, ndihem sikur jam gjysmë njeriu. Ndihem i pashpresë. Nëse jeta vazhdon kështu, ndjej se mund të vdes”, tha ai.

Shitja e organeve për para nuk është e padëgjuar në Afganistan, nndodhte edhe para pushtimit të talebanëve.

Por tani, edhe pasi kanë bërë një zgjedhje kaq të dhimbshme, njerëzit po zbulojnë se ende nuk mund të gjejnë mënyrat për të mbijetuar.

Në një shtëpi të ftohtë takuam një nënë të re e cila tha se shiti veshkën e saj shtatë muaj më parë. Ata gjithashtu duhej të paguanin borxhet, para që kishin marrë hua për të blerë një tufë delesh. Kafshët kanë ngordhur në një përmbytje disa vite më parë dhe kanë humbur mjetet për të siguruar jetesën.

2.700 dollarët që mori për veshkën nuk mjaftojnë.

Tani po detyrohemi të shesim vajzën tonë 2-vjeçare. Njerëzit nga të cilët kemi marrë hua na thonë çdo ditë, na jep vajzën tënde nëse nuk na e kthen dot paratë“, tha ajo.

“Ndihem shumë e turpëruar për situatën tonë. Ndonjëherë ndjej se është më mirë të vdes sesa të jetoj kështu,” tha bashkëshorti i saj.

Pa pushim, kemi dëgjuar për njerëz që shesin vajzat e tyre.

Unë e shita vajzën time pesëvjeçare për 1.120 dollarë”, tha Nizamuddin. “Kjo është më pak se gjysma e asaj që kërkon një veshkë. Kafshoi buzën dhe sytë iu mbushën”.

Dinjiteti me të cilin jetonin njerëzit këtu është thyer nga uria.

“Ne e kuptojmë se është kundër ligjeve islame dhe se po i vëmë jetën e fëmijëve tanë në rrezik, por nuk ka rrugë tjetër”, tha Abdul Ghafar, një nga krerët e komunitetit.

Në një shtëpi takuam Nazia-n katërvjeçare, një vajzë e vogël gazmore e cila luante me vëllain e saj 18 muajsh Shamshullah.

“Ne nuk kemi para për të blerë ushqime, kështu që unë njoftova në xhaminë lokale se dua të shes vajzën time,” tha babai i saj Hazratullah.

Nazia është shitur për t’u martuar me një djalë nga një familje në provincën jugore të Kandaharit. Në moshën 14-vjeçare, ajo do të largohet. Deri më tani Hazretullahi ka marrë dy pagesa për të.

“Unë e përdora pjesën më të madhe për të blerë ushqime dhe disa për ilaçe për djalin tim më të vogël. Shikojeni, ai është i kequshqyer,” tha Hazretullah, duke tërhequr këmishën e Shamsullahut për të na treguar barkun e tij.

Rritja marramendëse e normave të kequshqyerjes është dëshmi e ndikimit që uria tashmë ka te fëmijët nën moshën pesë vjeç në Afganistan.

Zjarr Tv Ad