Një diamant i rrallë rozë është shitur për plot 50 milion dollarë në një ankand në Gjenevë. I quajtur Pink Legacy, me peshë më pak se 19 karat, u ble nga marka amerikane Harry Windston.
Çmimi prej rreth 2.6 milionë dollarë për karat, sipas asaj që shkruan BBC, vendosi kështu rekord botëror për një diamant rozë. Përpara së të shitej vlera e tij ishte përllogaritur 30 deri në 50 milionë dollarë. Ky diamant u shit vetëm 5 minuta pas daljes në ankand. Pronarët e rinj të tij e kanë pagëzuar me emrin Winston Pink Legacy.
Guri i çmuar u gjet në një minierë në Afrikën e Jugut rreth 100 vjet më parë dhe ekspertët thonë se me gjasë nuk është ngacmuar qëkur u pre për herë të parë në vitin 1920. Sipas shtëpisë së ankandit ku u shit, gjetja e një diamanti rozë më të madh se 10 karat është tepër e rrallë.