Në fund të shtatorit 2021, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë arriti në 8.97 miliardë euro, sipas Bankës së Shqipërisë. Gjatë tremujorit të tretë, stoku i BJB-së u zgjerua me rreth 193 milionë euro (ose 2%), në reflektim të vlerës neto pozitive të transaksionit, prej 137 milionë euro. Në terma tremujore, stoku i BJB u zgjerua me 2%, kryesisht për rezultat të rritjes së Alokimit të SDR-së[1];
Në të njëjtën kohë, efekti i përllogaritur i vlerësimit të monedhës USD kundrejt EUR pati ndikim në rritjen e detyrimeve të shprehura në euro, me rreth 47 milionë euro. Gjithashtu, ndryshimet e tjera nga ri-klasifikimi vlerësohen pozitive në rreth +9 milionë euro. Borxhi i Jashtëm Bruto në raport me PBB u ngushtua në 61.4% nga 62.1% në fund të T2 2021.
Ecuria e tepricës së BJB-së gjatë tremujorit, vëren zgjerimin e borxhit të jashtëm në terma afatgjatë diktuar kryesisht nga rritja e Alokimit të SDR-së1 . Ndërkohë sektorët rezidentë (kryesisht bankat) kanë zgjeruar investimet e tyre në Eurobondin e emetuar në tregjet ndërkombëtare nga Qeveria e Përgjithshme duke ndikuar kështu në uljen e tepricës së borxhit të jashtëm të këtij sektori, njoftoi banka.
Në masën 89%, BJB prezantohet në maturitetin afatgjatë, teprica e të cilit u zgjerua me 172 milionë euro në reflektim të zgjerimit të Alokimit të SDR-së. Në të njëjtën kohë, BJB në maturitetin afatshkurtër u rrit me 21 milionë euro në nivelin 991 milionë euro, si pasojë e rritjes së detyrimeve afatshkurtra në “monedha dhe depozita” të Korporatave Depozituese. Monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, në rreth 66% të totalit, e ndjekur nga SDR me 13% dhe USD me 9%.
Kreditorët publikë mbajnë pjesën më të madhe (42%) të tepricës së borxhit të jashtëm afatgjatë. Kreditorët privatë kanë ruajtur të njëjtat nivele në aktivitetin huadhënës dhe në fund të muajit shtator 2021 mbajnë rreth 14% të tepricës së BJB-së në maturitetin afatgjatë. Detyrimi afatgjatë mes kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (përfshirë në zërin “Të tjera” në tabelën 3), ruan një nivel prej rreth 18% të totalit të borxhit të jashtëm dhe në fund të shtatorit 2021 shënon 1,397 milionë euro.
Pjesa e borxhit të jashtëm me maturitet më të gjatë se 5 vjet kalon dukshëm borxhin me maturitet nga 1 dhe 5 vjet. Në maturitetin 1-5 vjet dominon borxhi privat, ndërsa në atë mbi 5 vjet dominon borxhi publik.
Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 46% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sektorëve të Tjerë (35%), Sistemit Bankar (17%) dhe Autoritetit Monetar (2%).
Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në fund të muajit shtator 2021, detyrimet e Qeverisë së Përgjithshme vlerësohen në 4,148 milionë euro dhe prezantohen vetëm në instrumente afatgjatë, të tilla si “hua” dhe “obligacione dhe dëftesa”.
Borxhi i jashtëm publik përfshin huamarrjen me jashtë drejtpërdrejt nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) dhe qeveritë lokale, huamarrjen me jashtë të garantuar nga MFE dhe qeveritë lokale, në përputhje me legjislacionin mbi borxhin publik, duke përfshirë huatë e marra nga MFE në përputhje me marrëveshjen e FMN-së, si dhe letrat me vlerë të qeverisë të blera nga jorezidentët – të llogaritur me vlerën nominale.
[1] Alokimi i SDR është një mënyrë për të plotësuar rezervat valutore të vendeve anëtare të Fondit, duke i lejuar anëtarët të zvogëlojnë varësinë e tyre në borxhin e brendshëm ose të jashtëm për ndërtimin e rezervave. Shqipëria ka përfituar nga alokimi i SDR nga viti 2009.