Në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Median nisi të martën diskutimi i projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Megjithatë, projektligji për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit shkaktoi debat dhe u kundërshtua nga përfaqësues të opozitës si jotransparent.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa denoncoi faktin se qeveria nuk ka sjellë në parlament marrëveshjen e plotë mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF për krijimin e Fondacionit të posaçëm për menaxhimin e Butrintit.
“Butrinti po jepet me koncension me marrëveshje sekrete. Unë si deputete relatore e komisionit të Edukimit nuk marr dot marrëveshjen sekrete, që jep Butrintin nuk dihet se kujt,” tha Zhupa në fillim të mbledhjes së komisionit.
Zhupa po ashtu kundërshtoi kalendarin e punimeve të Kuvendit lidhur me këtë projektligj, duke e cilësuar në shkelje të rregullores caktimin e komisionit të Ekonomisë si komision përgjegjës, kur çështjet e kulturës janë në fushën e përgjegjësisë së komisionit për Edukimin dhe Median.
“Butrinti nuk është mall tregtar, është trashëgimi kulturore,”tha ajo dhe i kërkoi nënkryetarit të komisionit, Petro Koçi që të shtynte mbledhjen.
Pavarësisht kërkesës, Koçi vendosi të vijonte mbledhjen me prezantimin e ministres së Kulturës, Elva Margariti, por deputetja demokrate tentoi të ndalonte ministren që të fliste duke i rënë tavolinës dhe duke i hequr mikrofonin.
“Kjo që po bëni është turp,” iu drejtua ajo disa herë ministres. Më pas, Zhupa dhe deputetët e tjerë të PD-së të pranishëm braktisën mbledhjen.
Ministrja Margariti pranoi se marrëveshja për Butrintin ishte klasifikuar si sekret dhe nuk i ishte vënë në dispozicion parlamentit, bashkë me projektligjin për miratimin e saj. Sipas saj, ishte ruajtur konfidencialiteti vetëm në aspektet ekonomike të planit të biznesit.
Duke iu referuar një “tabelari voluminoz” dhe të detajuar të këtij plani, Margariti tha se arsyeja pse ishte mbajtur sekret ishte mundësia se mund të keqinterpretohej nga deputetët.
“Nuk do të doja që të keqinterpretoheshin të gjitha elementët e parashikuar në planin e biznesit në këto komisione, për sa kohë ministria ka të gjithë tagrin dhe detyrimin që të shohë ecurinë e këtij plani dhe të marrë masa nëpërmjet organeve kompetente,” tha ajo.
“Plani i biznesit mund të ekuilibrohet në çdo moment dhe qasja jonë është që brenda 2 viteve të kemi të tjerë donatorë,” shtoi Margariti, duke pretenduar se marrëveshja është zbërthyer në narrativë ekonomike dhe ligjore në relacionin shoqërues të projektligjit.
Sipas relacionit shoqërues, marrëveshja parashikon ngritjen e një Fondacioni të posaçëm me partneritet mes ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili do të administrojë për një periudhë 10-vjeçare të gjithë Parkun Kombëtar të Butrintit. Për ngritjen e Fondacionit, AADF do të financojë me një grant deri në 5 milionë dollarë, ndërsa shteti shqiptar do të ofrojë gjithë fondet e papërdorura që janë në arkën e të ardhurave të Butrintit.
Ministrja Margariti e mbrojti marrëveshjen për krijimin e një fondacioni për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit si një “instrument për të forcuar zhvillimin ekonomik dhe thithjen e të ardhurave”. Ajo tha se janë marrë si modele menaxhimi site të famshme botërore duke e ofruar këtë si një garanci për suksesin e fondacionit.
Ajo tha se Butrinti deri më sot i është nënshtruar skemave të buxhetit të shtetit dhe paratë e mbledhura vijojnë të ngelen në arkën e tij. “Ngërçi real është aspekti i moszhdërvjelltësisë që kemi duke qëndruar brenda skemës shtetërore për thithjen e fondeve. Ne po krijojmë një fondacion, ku partneri strategjik vjen me një fond të qenësishëm dhe fondacioni na bën të mundur të kemi grante të tjera, hyrje të parasë, jo vetëm nga të ardhurat e Butrintit,” tha Margariti.
Sipas ministres, menaxhimi i Butrintit përmes një fondacioni mund të shtrihet edhe në sitet e tjera të trashëgimisë kulturore. Margariti dhe një avokat përfaqësues i firmës “Tashko &Pustina”, i pranishëm në komision, u thanë deputetëve se shteti ka mekanizma monitorues për fondacionin që do të menaxhojë Butrintin.
“Bordi monitorues që do të ngrihet në ministri ka të drejtë që në raste emergjente, kur konstatohet se fondacioni ka dështuar në menaxhim, të ndërhyjë dhe të marrë në administrim Butrinin,” tha avokati Alban Shanaj, i cili u përgjigj për aspektet ligjore të marrëveshjes.