Shkarkimi i Arben Malajt, Ruçi ia kalon topin Ramës

0
19

Gramoz Ruçi i hedh topin kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Arben Malaj nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

 Më 16 korrik 28 deputetë socialistë depozituan në Parlament kërkesën për shkarkim me pretendimin se Malaj kishte shkelur kodin e Etikës së Bankës së Shqipërisë.

Por kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaroi se kompentencë për kërkesën për shkarkim nuk e kanë deputetët por qeveria.

“Lidhur me këtë cështje njoftoj nismëtarët dhe kuvendin se kërkesa nga ana ime i është përcjellë Këshillit të Ministrave për kompetencë, pasi në zbatim të nenit 47/1 të ligjit për BSH Këshilli i Ministrave është ai që nis procedurën dhe nëse ai e nis vihen në lëvizje procedurat e tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit.” u shpreh Ruci sot ne fillim te seances.

Në shkresën e firmosur nga 28 deputetë me në krye kryetarin e grupit parlamentar Taulant Balla thuhej se Arben Malaj ka shkelur Kodin e etikës së Bankës së Shqipërisë pasi “në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës, në daljet publike ka trajtuar tema me natyrë thellësisht politike, në kundërshtim të hapur me kompetencat e pozicionit të tij”.

Por nga ana e tij Malaj e komentoi si hakmarrje politike e socialistëve.

Socialistët iu referuan Kodit të Procedurave Administrative për të hartuar kërkesën pë shkarkimin e Malajt.

Ata sollën në vëmendje faktin që parlamenti në rezolutën për Bankën e Shqipërisë, të miratuar në Maj të këtij viti ka kërkuar që “Këshilli të marrë në shqyrtim zbatimin e Kodit të Etikës nga anëtarët e tij..”, por që deri më tani sipas tyre nuk është reflektuar në veprimtarinë e Këshillit. Për pasojë, sipas deputetëve socialistë, atyre u lind e drejta që “kur një detyrë nuk zbatohet, apo refuzohet të zbatohet nga zyrtari i ngarkuar me ligj, atëherë kompetenca mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga organi që ka detyrimin ligjor për të vendosur në lidhje me çështjen”, shkruhej në dokument duke ju referuar Kodit të Procedurave Administrative.

Ndërkohë shkarkimi i një anëtari të Këshillit Mbikqyrës, përcaktohet nga Ligji për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon se ata “…mund të shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, kur personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cënuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë”. Ky përcaktim i ligjit nuk i lë hapësirë parlamentit të veprojë pa patur më parë një vendim nga vetë Këshilli.