Shkarkimi i Metës, DW: Verdiktin përfundimtar do ta japë …!

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Parlamenti miratoi në mbrëmjen e të hënës, (08.07.2019) ngritjen e një komisioni të posaҫëm për të hetuar rreth karakterit anti-kushtetues të dekretit të Presidentit Meta për anulimin e zhvillimit të Zgjedhjeve Lokale 2019, më 30 qershor. Anëtarët e këtij komisioni do të përgatisin brenda 3 muajve një raport për argumentuar shkarkimin e Metës pas dekretit që anuloi zhvillimin e Lokaleve 2019 më 30 qershor.

Nga ana e tij Presidenti Meta përsëriti të hënën në Parlament, se Zgjedhjet Lokale, që u zhvilluan më 30 qershor, janë anti kushtetuese dhe të paligjshme pasi në ato nuk mori pjesë opozita. Ai këmbënguli, se dekreti i tij për zhvillimin e tyre më 13 tetor të këtij viti është i ligjshëm dhe mbetet në fuqi.” Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës” theksoi Meta.

Rama: Meta, burim destabiliteti politik

Maxhoranca socialiste listoi të hënën në mbrëmje një sërë shkejesh që Meta ka bërë ndaj Kushtetutës. Sipas deputetëve socialistë ai ka cënuar parimin e ushtrimit të sovranitetit nga populli, është sjellë në mënyrë arbitrare me pushtetin si President i Republikës ,ka cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur duke anulluar me dekret zhvillimin e tyre në 30 qershor.

Kryeministri Rama e cilësoi qëndrimin e Metës një „ofensivë destruktive kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë”.” Presidenti Meta është armik i hapur i Kushtetutës, armik i vetëdeklaruar i Parlamentit, politikani i frikësuar nga reforma në drejtësi. Ai është burim destabiliteti politik, institucional. Shkarkimi i tij është detyrë e ҫdo deputeti”, tha Rama.

Në një deklaratë para fillimit të seancës plenare në mbrëmjen e të hënes, Presidenti Meta theksoi qëndrimin e tij të njohur tanimë se dekreti i tij për anullimin e 30 qershorit si datë e zhvillimit të Lokaleve 2019 është në mbështetje të plotë të Kushtetutës dhe parimeve themelore që ajo mbron”. Meta përsëriti alternativën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale më 13 tetor, pasi “zgjedhjet Lokale, që u zhvilluan më 30 qershor nuk ekzistojnë ligjërisht”.

Votat në Parlament dhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese

Miratimi i ngritjes së komisionit të posaҫëm hetimor u bë me 101 vota pro dhe 6 kundër. Shkarkimi i Presidentit bëhet me shumicë të cilësuar votash që do të thotë 94 vota në parlamentin prej 140 deputetësh. Votimi pritet të bëhet pas 3 muajve, kur 9 anëtarët e Komisionit të sapongritur hetimor do të paraqesin në Parlament raportin e tyre. Por verdiktin përfundimtar për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta do ta japë Gjykata Kushtetuese, që në Shqipëri nuk është funksionale. Anëtarët e saj, kanë dalë jashtë sistemit nga vetting-u para më shumë se një viti dhe ende nuk ka kandidatura gjykatësish që të kenë kaluar sitën e vettingut për t’i zëvendësuar ata./DW

 

Zjarr Tv Ad