Gentian Osmani, ish-prokuror i çështjes Tahiri shkarkohet nga Komisioni i Posaçëm të Apelimit, i cili vulos kështu edhe karrierën e anëtarit të KLP në drejtësi.
Në arsyetimin e saj KPA-ja ka deklaruar se 99% e gjetjeve të ONM-së në lidhje me pasurinë e Osmanit kanë qënë të pabazuara, por ajo që e ka fundosur, kanë qënë pikërisht deklarimet për vitet 2011-2013. Në këto vite sipas KPA-së, Gent Osmani nuk ka arritur të justifikojë shpenzimet dhe kursimet.
Largimi përfundimtar nga sistemi i drejtësisë i ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, pritet të krijojë një “ngërç” edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pjesë e të cilit ishte.
Me ikjen e tij, KLP-ja mbetet me 10 anëtarë dhe në këto kushte, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku duhet të bëjë edhe njëherë thirrjen e prokurorëve, për gjetjen e pasuesit të Osmanit e në KLP.
Marku duhet të thërrasë me urgjencë asamblenë e përgjithshme të prokurorëve, që të votohet anëtari i gjashtë nga radhët e prokurorisë, tani që Osmani u largua.
Përveç Osmanit, në pikëpyetje është edhe fati i bashkëshortes së tij, edhe ajo gjyqtare në Shkallën e Partë në Tiranë. Ndonëse nuk është vetuar ende, ka shumë gjasa që vendimi për anëtarin e KLP-së, i djegur nga pasuria të mund të ndikojë automatikisht edhe tek kjo e fundit.
Kujtojmë që Gentian Osmani është i njohur si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.