Komisioni Federal për Tregti i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar përmes votimit me shumicë votash një gjobë prej 5 miliardë dollarësh për shkak të shkeljeve të rregullave të privatësisë që kjo kompani i ka bërë në rastin “Cambridge Analytica”.
Gazetat “Washington Post” dhe “Wall Street Journal”, të cilat kanë cituar burime anonime që janë të informuara për këtë çështje, raportuar të premten se vendimi për ndëshkimin e rrjetit social u miratua me tri vota, ndërsa dy vota ishin kundër. Raportohet se ky vendim është mbështetur nga republikanët, ndërsa është kundërshtuar nga demokratët.
Hetimi i Komisionit Federal për Tregti i Shteteve të Bashkuara kishte filluar në mars të vitit 2018 pasi gazeta “The Guardian” kishte zbuluar se kompania “Cambridge Analytica” i kishte marrë të dhënat e më shumë se 50 milionë përdoruesve të Facebook-ut në mënyrë ilegale.
Gjoba prej 5 miliardë dollarësh do të ishte më e madhja që është dhënë ndonjëherë nga Komisioni Federal për Tregti kundër një kompanie teknologjike dhe më i madhi kundër një kompanie për shkelje të privatësisë. Kjo shifër është e përafërt edhe me dënimin që e prisnin zyrtarët e Facebook-ut, të cilët kishin thënë se mund të dënohen me gjobë prej 3 deri 5 miliardë dollarësh.
Pavarësisht shumës së madhe të parave, analistët thonë se ky ndëshkim nuk është i mjaftueshëm dhe se vështirë që do të lërë ndonjë shenjë në llogarinë bankare të gjigantit teknologjik. Kjo kompani ka pasur te ardhura prej më shumë se 15 miliardë dollarësh vetëm në tre muajt e parë të vitit 2019, shkruan “The Guardian”.