Është finalizuar me sukses operacioni “Para të paligjshme” ku policia ka vënë në pranga dy persona duke u sekuestruar dhe një shumë parash.
Policia ka arrestuar shtetasit me iniciale E.I, 35-vjeç dhe G.Gj, 37-vjeç të dy banues në Shkodër.
Personat e ndaluar dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin për një periudhë të gjatë kohore i kanë marrë me anë të kanosjes dhe kërcënimit një shumë monetare një gruaje.
Ndaj dy të dyshuarve rëndon vepra penale e “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë e kryer në bashkëpunim”.
Ja deklarata e plotë e Policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policori koduar “Para të paligjshme”, arrestohen dy shtetas, sekuestrohet një shumë parash.
Strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, duke përdorur metodat speciale të hetimit arrestuan shtetasit: E. I., 35 vjeç dhe G. Gj., 37 vjeçe, banues në Shkodër.
Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë te gjate dyshohet se i kanë marrë me anë të kanosjes dhe kërcënimit një shumë monetare nje shtetaseje.
Në momentin e arrestimit në flagrancë këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasi lekësh, të dhëna si pasojë e kërcënimit dhe kanosjes së vazhdueshme.
Në përmbyllje të këtij operacioni policor nga tërësia e veprimeve të kryera, dy shtetasit e arrestuar, dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë e kryer në bashkëpunim”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme.