Qyteti i Shkodrës kohët e fundit është krahasuar edhe me Palermon, për shkak të shumë ngjarjeve kriminale të ndodhura si pasojë e përplasjeve mes bandave rivale.
Edhe vrasja e ndodhur sot në lagjen Kiras, ku u ekzekutuan Astrit dhe Brahim Bilali ka lidhje me ngjarjet kriminale të ndodhura kohët e fundit në Shkodër.
Vrasja e dy vëllezërve është në vazhdën e krimeve të pazbardhura që e çon në shtatë numrin e viktimave në 10 muajt e fundit.
E fundit për nga koha kur ndodhi është ajo e Arjan Ferracakut 31 vjeç. Biznesmeni i njohur u gjet i ekzekutuar në Livadhe, në periferi të qytetit më 1 shtator.
Në 10 gusht i vrarë në një atentat mbeti 53-vjeçari Fatbardh Lici. Ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër kur u ekzekutua, ndërsa ende nuk janë arrestuar autorët.
Në 15 korrik u ekzekutuan me armë zjarri në makinë çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci. Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja 25-vjeçe, u ekzekutuan me armë zjarri automatike e llojit “M5P”, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 23 gëzhoja.
Në 18 qershor u ekzekutua me armë zjarri Mehdi Kavaja. Pronari i servisit të makinave, 60-vjeçari Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë në banesën e tij, ndërsa ende nuk dihen motivet dhe autorët.