Një aksident tragjik ka ndodhur në afërsi të Tetovës në Maqedoni. Numri i viktimave ka shkuar në 14 ndërkohë që kanë mbetur 20 persona të plagosur. Sipas mediave vendase një autobus që lëvizte nga Shkupi për në Tetovë, në afërsi të fshatit Llaskarcë ka dalë nga rruga pasi i ka plasur një prej gomave dhe ka përfunduar në kanal.
Banorët e fshati kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ofruar ndihmë të jashtëzakonshme. Të aksidentuarit janë transportuar për në spital edhe me helikopterë.
Prokurori Publik përgjegjës nga Prokuroria Publike Shkup po kryen hetim në vendngjarje.
“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pasdite kur autobusi me targa të Gostivarit, ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të fshatit Llaskarcë.
Për shkak të tragjedisë së madhe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se data 14 dhe 15 shkurt do të jetë ditë zie.
Këtë vendim e ka njoftuar vetë kryeministri Zoran Zaev, i cili mes tjerash ka shtuar se numri i viktimave ka arritur në 14. “Dhimbja dhe pikëllimi nuk mundë të maten dhe nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë aksidentin e rëndë që ishte fatale për shumë nga bashkëqytetarët tanë.
Ngushëllime deri tek me të dashurit e tyre.
Në Klinikat e Shkupit, ekipe të shumta mjekësore janë të angazhuar në mjekimin dhe operimin e mbi 30 të lënduarve nga aksidenti tragjik.
Aksidenti ka ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë, në kilometrin e shtatë të saj.