Mesazhi politik i Novak Djokoviçit për Kosovën në French Open ishte “i pavend” dhe “nuk duhet të përsëritet”, ka deklaruar ministrja franceze e sportit.
Amelie Oudea-Castera tha se duhet të ketë një “parim të neutralitetit për fushën e lojës”, teksa dënoi veprimin e tenistit serb.
Djokoviç shkroi në lenten e kamerës “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”, duke iu referuar tensioneve që po ndodhin në veri të Kosovës.
Organi qeverisës botëror, Federata Ndërkombëtare e Tenisit tha se deklarata e Djokoviç nuk shkel asnjë rregull, sepse rregullorja e Grand Slam nuk ndalon deklaratat politike.
“Kur jepen mesazhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që i bashkojnë njerëzit rreth vlerave universale, një sportist është i lirë t’i shprehë ato,” tha Oudea-Castera, teksa shtoi se në këtë rast ishte një mesazh me përmbajtje shumë politike.
“Nuk duhet të përfshihemi, sidomos në rrethanat aktuale dhe nuk duhet të përsëritet më”, theksoi ajo.