“Shoh agjitim”, PD i përgjigjet Ramës: Lëri lojërat e pista

0
21

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të fundit të bëra nga kryeministri Edi Rama për ndryshimet kushtetuese.   Duke cituar fjalën e Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul, Bardhi i drejtohet Ramës duke i thënë se “frika jote nga humbja e pushtetit nuk mund të marrë peng Shqipërinë”. “Të gjithë e kanë kuptuar tmerrin tënd nga zgjedhjet, por frika jote nga humbja e pushtetit nuk mund të marrë peng Shqipërinë. Edi Rama lexoje mirë këtë deklaratë të Bundestagut dhe lëri lojërat e pista politike në kurriz të shqiptarëve,” shkruan Bardhi dhe më poshtë riposton deklaratat e Wadephul.

Deklaratë e Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul:

“….Ndryshimet kushtetuese do të minonin tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonin atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit.
Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore.
Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.
Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar:
Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore.
Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman.
Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”

Deklarata e Ramës pak më herët 

As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi! Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit… Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë..