Spiunazhi ka tronditur Italinë. Policia italiane pas një hetimi disa mujor ka arritur të zbulojë një fakt tronditës; identifikimin e një rrjeti spiunazhi që survejonte prej vitesh krerët e policisë, institucioneve të ndryshme, administratën publike, sipërmarrës si dhe personalitete të larta politike, mes të cilëve edhe ish-kryeministrin Matteo Renzi dhe kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.
Hetimi i kryer nga policia postare dhe prokuroria e Romës solli arrestimin e dy personave, inxhinierin bërthamor Giulio Occhionero, 45 vjeç dhe motrën e tij, Francesca Maria 49 vjeçe, të dy rezidentë në Londër por me banim në Romë dhe të njohur në botën e financës.
Ky grup menaxhonte një rrjet kompjuterësh të infektuar nga një virus që quhej “Eyepyramid” që u kishte mundësuar të grumbullonin prej vitesh njoftime të rezervuara dhe të dhëna delikate të dhjetëra personaliteteve, kryesisht në botën e financës.
Mes këtyre personaliteteve gjendet ish-kryeminsitri Matteo Renzi, kreu i BQE-së Mario Draghi, ish-kryeministri Mario Monti, ish-guvernatori i “Banca d’Italia” Fabrizio Saccomanni, ish-komandanti i përgjithshëm i “Guarda di Finanza”, Saverio Capolupo.