Në Bjellorusi, po mbahen demonstrata të fuqishme, pasi përfunduan zgjedhjet e datës 9 gusht, të fituata nga presidenti Aleksandër Lukashenko, por që ishin shumë të kontestuara nga qytetarë të shumtë, opozita dhe faktori ndërkombëtar.
Lukashenko, gjatë vizitës në një fabrikë në Minsk, ka bërë një deklaratë të fuqishme, duke irrrituar edhe më tej qytetarët.
Ai tha se zgjedhje të reja do të ketë vetëm nëse ndodh që ai të vritet.
“Zgjedhje të reja do të ketë vetëm kur të më vrisni mua”, ka thënë Lukashenko.
Ndërsa, kandidatja e opozitës për postin e presidentes, Svetlana Tikhanovskaya që iku nga vendi, u shpreh se do të kthehet në Bjellorusi e se është e gatshme të marrë pushtetin.
Në protestat masive që kanë përfshirë shtetin e Bjellorusisë, janë vrarë 2 persona, 7 mijë janë arrestuar, dhe dhjetëra janë lënduar.
Aleksandër Lukashenko ka më shumë se 26 vjet në pushtet në Bjellorusi, ndërsa akuzohet se ka manipuluar zgjedhjet e fundit presidenciale.