Shoqata e Ndërtuesve i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, pas ndalimit që Bashkia e Tiranës i ka bërë qarkullimit të betoniereve në kryeqytet, gjatë orëve të ditës. Ata thonë se nuk mund të punojnë dot natën ndaj kërkon të hiqet ky kufizim sepse Policia Rrugore në zbatim të vendimit nuk i lë të lëvizin deri para orës 20.00.
“Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj procesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe procese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Shoqatës.
Për këtë, ka reaguar dhe kryebashkiaku Veliaj, i cili thotë se vendimi është i drejtë dhe betoni hidhet dhe natën. Veliaj shpjegoi se arsyeja kryesore është mbarëvajtja e aktivitetit të institucioneve arsimore në kryeqytet, sidomos në orët e para të mëngjesit kur edhe trafiku në Tiranë rëndohet, shkruan neësbomb.al.
“Ne kemi marrë disa vendime të vështira, por të drejta dhe detyra ime e kërkon, ashtu sikurse edhe detyra juaj nesër, që jo të merrni vendimet më popullore, por edhe vendime të vështira të cilat mërzisin disa njerëz, por janë për të mirën e përbashkët. Një prej këtyre vendimeve është që ne kemi ndaluar totalisht makinat e rënda, siç mund të jenë kamionët, apo betonieret gjatë kohës kur ka aktivitet mësimor; pra ndalohen nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 20:00 të darkës.
Pyetja është: A është vendim i drejtë? Unë them se po! Betoni mund të hidhet edhe natën, hekuri mund të shkarkohet edhe natën, ndërkohë shkolla është me detyrim, fillon në orën 08:00, kopshtet hapen që në orën 06:30, çerdhet hapen që në orën 06:30, sepse ka prindër që duhet të jenë në punë në orën 7:00. Kemi marrë një vendim që ka hasur shumë kundërshtime, me siguri do të përfundojnë edhe në gjykatë si shumë prej këtyre vendimeve të Bashkisë së Tiranës, por them se është vendim i drejtë,” u shpreh Veliaj në një takim me drejtues të shkollave të mesme në kryeqytet.
Letra e plotë – Shoqata e Ndërtuesve dhe Prodhuesit e Betonit
Shoqata e Ndërtuesve dhe Prodhuesit e Betonit, Ju urojnë një vit të mbarë, plot shëndet dhe suksese në aktivitetin Tuaj.
Shoqata jonë ka qënë partnere dhe dëshiron të çojë përpara këtë partneritet me qeverisjen qendrore dhe lokale në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që prekin kryesisht sektorin e ndërtimit.
Po ju drejtohemi, Juve, si titullari më i lartë i këtij institucioni për zgjidhjen e një problem aktual dhe shumë të rëndësishëm për ne :
Lejimin e vazhdimësisë normale të punës për prodhimin dhe transportin e betonit, lejimin e lëvizjes së autobetonierave të sektorit të ndërtimit gjatë orarit të punës në Tiranë. (Punonjësit e Policisë Rrugore nuk po lejojnë lëvizjen e autobetonierave para orës 20.00 në qytetin e Tiranës).
Theksojmë që ky ka qënë problem i përsëritur ndër vite për ne.
Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj proçesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe proçese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër. Lënia në gjysëm e një bazamenti, strukturave mbajtëse ose e soletave është teknikisht e ndaluar mbasi demton qëndrushmërinë e objektit.
Gjithashtu, betoni nuk është material i cili shkarkohet si inertet dhe përpunohet në një moment të dytë. Betoni trasportohet me makineri të cilësuara si makina teknologjike (autobetoniere), ka një orar teknikisht të caktuar brenda të cilit duhet të jetë i hedhur në vepër.
Për këtë arsye, kërkojmë nga institucionet kompetente lejimin e vazhdimësisë të punës tone normale, duke shmangur kështu, “abuzimet” e punonjësve të policisë ndaj firmave të betonit, në mënyrë të përditshme, në çdo rrugë të Tiranës.
Shpresojmë tek Ju, në zgjidhjen e këtij problemi.