Shoqata Gjermane kundër amnistinë fiskale të qeverisë “Rama”: Sjell efekte negative, e padrejtë

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) kritikoi në një njoftim për shtyp nismën e kryeministrit Edi Rama për amnisti fiskale dhe penale të enjten ndërkohë që kryeministri pritet të mbajë “konsultime” me grupe të tjera biznesi të premten në orën 11.

Shoqata Gjermane, e cila përfaqëson një numër biznesesh dhe investimesh gjermane në Shqipëri, bëri deklaratën e saj pas qëndrimit të prerë të Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë kundër kësaj amnistie.

“Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale,” thuhet në deklaratën e DIHA-s.

“Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është “Tatimi i posaçëm” në nenin 16 të Projektligjit. Një tatim kaq i ulët (5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i padrejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen,” thuhet më tej në deklaratë [Link].

Qeveria shqiptare pretendon se vendi ka nevojë për një nismë për amnisti fiskale me qëllim që të legalizojë paratë e mbajtura privatisht nga qytetarët që i kanë fituar përmes punësimit në të zezë apo evazionit fiskal. Sipas qeverisë, këta individë do të mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro para të thata apo pasuri, me kushtin që të paguajnë një taksë që varion nga 5 deri në 10% si dhe të mos i largojnë paratë nga Shqipëria për së paku pesë vjet

Projektligji është kritikuar për dy arsye kryesore: pandershmëria ndaj qytetarëve dhe bizneseve të cilët kanë paguar taksat në mënyrë të ndershme (barra fiskale në Shqipëri arrin në trefish dhe katërfish në krahasim me taksën e propozuar nga qeveria për legalizimin e parave të pataksuara), por, ajo që është më e rëndësishme, projektligji është kritikuar për rrezikun që paratë e fituara nga zyrtarët e korruptuar në afera korruptive apo ato të fituara në aktivitete kriminale, do të mund të deklarohen si fitime nga ekonomia informale dhe të legalizohen përkundrejt një kostoje minimale.

Qeveria u detyrua një herë të tërhiqet nga kjo nismë vitin e kaluar pas presionit nga Komisioni Evropian. Komisioni ka shprehur sërish shqetësimet e veta nga ky projektligj edhe këtë herë. Ndërkohë, Dhoma Amerikane dhe Shoqata Gjermane nënvijëzojnë që të dyja në deklaratat e veta se kritikat e bëra prej tyre ndaj nismës së kaluar të qeverisë “nuk janë marrë parasysh”; me pak fjalë, Rama duket se ka propozuar të njëjtin projektligj që pati tërhequr vitin e kaluar.

Zjarr Tv Ad