Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Social Demokrate të Kosovës. Përmes një njoftimi në Facebook, Ahmeti ka theksuar se ky vendim vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe se nuk do të garojë për asnjë pozitë në zgjedhjet e brendshme të partisë të cilat po mbahen të dielën.
“Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar i subjektit kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD si organ më i lartë vendimmarrës në subjekt. Meqenëse edhe Statuti i PSD kërkon mbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjeve nacionale për Kuvendin e Kosovës, sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti”, tha Ahmeti në Facebook.