Ish-ministri i Bujqësisë, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Edmond Panariti bën thirrje për shndërrimin e zonës së plazhit te “Rana e Hedhun” në zonë karantine me një rreze prej 3 kilometrash, pas zbulimit të disa shpendëve të ngordhura.
Rreth katër pula u gjetën të hedhura në këtë zonë, shpendët ishin të dekompozuara dhe dyshohet se mund të kenë ngordhur për shkak të vitusit të gripit të shpendëve.
Panariti bën thirrje për dezinfektimin e zonës, si dhe plugimin dhe përmbysjen e thellë të të gjithë sipërfaqes së plazhit.
Shkrimi i Panaritit në rrjetet sociale:
Ja ku i keni, armët “bakteriologjike” sheshit dhe në veprim.
Buzë detit, dhe në prag të sezonit turistik !
Mu si në mesjetë, kur pushtuesit “flaknin” kafshë dhe shpendë të infektuar në zona të banuara për të dëmtuar popullsinë.
Ajo zonë duhet të kthehet urgjentisht në karantinë dhe të bllokohen lëvizjet dhe hyrje daljet në të në një rreze prej 3 km.
Të fillohet me dezinfektimin e zones. Heqje e shtresës sipërfaqësore të rërës me kujdes dhe largimin e saj në kontejnerë të posaçëm.
Më pas plugim dhe përmbysje e thellë e gjithë sipërfaqes së zonës së plazhit.
Të gjurmohet origjina dhe shkaku i ngordhjeve.
Jemi ende në syrin e ciklonit të epidemisë së gripit të shpendëve.
Çfarë prisni!!