(Sh)përdorimi i institucioneve të pavarura nga Rama dhe tërheqja nga rritja e çmimit të energjisë!

0
52
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Bujar Leskaj

Lideri Global deklaroi sot se nuk do t’ua vendosë fashën 800 kilovat-orë shqiptarëve, pas së cilës energjia pothuajse u pesëfishohej në shtëpi.

Mediat kishin ditë që shpjegonin shpenzimet e rritura për çdo familje shqiptare me vendosjen e fashës, përtej gënjeshtrave të propogandës qeveritare se do të prekeshin vetëm 4 për qind e familjeve tona.

Dhe kryetari i sektit qeverisës ndjeu indinjatën e revoltën popullore që po rritej e zmadhohej si një det i qetë përpara furtunës, me afrimin e 1 tetorit të vendosjes së fashës. Dhe i trembur, u zbyth, njësoj si në nëntor 2014, kur përpara protestave të gjera popullore, tërhoqi vendimin për demontimin e armëve kimike siriane në Shqipëri.

Ngrejmë pyetjen: ku vajti vendimi i vetëm një javë më parë, më datë 24 shtator, i një institucioni, me letra, të pavarur nga qeveria, si Enti Rregullator i Energjisë(ERE), për rritjen e çmimit të kilovat-orës në 42 lekë, pas 800 kWh të harxhuar? Ku përfunduan pavarësia, imazhi dhe dinjiteti i këtij institucioni, mbajtja e të cilit u kushton shqiptarëve rreth 1 milion euro në vit?

Rama kështu vepron me të gjitha institucionet e pavarura, madje edhe me ato kushtetuese. I shpërdoron dhe keqtrajton, duke ua humbur identitetin. I bën të pagoja, të frikësuara, edhe pse vetë ka frikë, si djalli nga temjani, nga protestat popullore. I shndërron në kukulla dhe marioneta të tij, duke nëpërkëmbur interesat e ligjshme të qytetarëve të këtij vendi. Shqiptarët paguajnë që ERE t’i mbrojë, dhe jo të kthehet në një noter të dëshirave të Ramës!

Të njëjtin fat kanë pësuar institucione, sërish në letër të pavarura, si AMA, Autoriteti i Konkurrencës, etj. Për fat të keq, ky transformim e përçudnim po ndodh edhe me deputetët e shumicës në Kuvend, të rehatuar me hir dhe pahir, në pozicione kukullash dhe marionetash.

Të vjen keq kur sheh deputetë të Partisë Socialiste, me integritet dhe profil të spikatur shoqëror e profesional, të kthyer në të pagojë dhe inertë, përballë dëshirave dhe kapriçiove të çmendura të Liderit Global.

Sikurse ishte ajo e “Një instalacioni me strukturë druri në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë, Parku ‘Eden’”, sipas titullit të tenderit të hapur në fillim të shtatorit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë 431 milionë lekë ose plot 3.7 milionë euro!

Edhe për këtë zullum, Kryetari i sektit qeverisës u zmbraps njëlloj si sot me fashën e energjisë. I zënë me presh në duar, duke shpenzuar për kapriçio estetike 3.7 milionë euro, pa asnjë përfitim real për funksionet dhe detyrat e Këshillit të Ministrave, iu tremb detit të indinjatës popullore.

Dhe Rama sërish u zbyth edhe këtu, duke futur shpejt e shpejt në projekt mbulimin e tarracës së Kryeministrisë me panele diellore, për ta shitur projektin si gjoja fitimprurës, brenda 20 viteve të ardhshme(?!).

Po kush ia honeps me këto pirueta? Shqiptarët e kanë të qartë tashmë natyrën e këtij pehlivani, që sillet si mbret i pashpallur nëntëvjeçar i Shqipërisë, për më tepër, lakuriq në sy të qytetarëve të vet. Shumë shpejt do t’i vijë shpejt dita kur qytetarët do ta degdisin aty ku e meriton, pas zullumeve dhe ligësive të bëra, në bankën e të akuzuarve për korrupsion e shpërdorim të pasurisë publike dhe të parave të taksapaguesve të këtij vendi.

Zjarr Tv Ad