Shpërthim në 300 metra thellësi në minierën e qymyrit në Turqi, raportohet për 28 viktima! Dhjetëra të tjerë të bllokuar brenda. Ç’deklaroi i mbijetuari

0
40
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të paktën 28 persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë të bllokuar nën tokë pas një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën Bartin të Turqisë veriore.

Rreth 110 persona ishin në minierë në momentin e shpërthimit, pothuajse gjysma e tyre në mbi 300 metra thellësi.

Ministri i Shëndetësisë i Turqisë Fahrettin Koca tha se 11 persona ishin shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor.

Ekipet e emergjencës punuan gjatë natës, duke gërmuar nëpër shkëmb në përpjekje për të arritur tek të mbijetuarit.

Në pamje shihen minatorët që dalin të nxirë, të shoqëruar nga ekipet e shpëtimit në objektin në Amasra, në bregun e Detit të Zi.

Familjarë dhe miq të të zhdukurve shihen gjithashtu jashtë minierës, duke pritur me ankth lajmet për të dashurit e tyre.

Shpërthimi dyshohet të ketë ndodhur në rreth 300 metra thellësi. Rreth 49 njerëz po punonin në zonën e “rrezikshme” midis 300 dhe 350 metra nën tokë, tha Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu.

Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit, ndërsa prokuroria vendase ka nisur hetimet.

Ministri i Energjisë i Turqisë tha se dyshohet që shpërthimi ishte shkaktuar nga gaz metan në minierë.

“Ne po përballemi me një situatë vërtet të dhimbshme”, tha ai, i cili shtoi: “Ka pasur shembje të pjesshme brenda minierës, por ventilimi po funksiononte siç duhet”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pritet të vizitojë vendin përgjatë ditës së shtunë.

Kryetari i bashkisë së Amasra, Recai Cakir tha se shumë nga të mbijetuarit kanë pësuar “lëndime të rënda”.

Një punëtor që arriti të shpëtonte vetë tha: “Kishte pluhur dhe tym dhe nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi”.

Miniera i përket ndërmarrjeve shtetërore turke të qymyrit të fortë.

Turqia dëshmoi fatkeqësinë e saj më vdekjeprurëse të minierave të qymyrit në vitin 2014, kur 301 njerëz vdiqën pas një shpërthimi në qytetin perëndimor të Soma.

Zjarr Tv Ad