Policia po vazhdon hetimet për shpërthimin e fuqishëm të tritolit që ndodhi në lagjen “Granicë” të Gjirokastrës mbrëmjen e 25 janarit.
Mësohet se lënda plasëse ishte vendosur në katin e parë të një ndërtese tre katëshe që shërbente si garazh.
Fatmirësisht nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale, si dëmtim i garazhit, kangjellave të jashtme dhe xhamat e banesave përreth.
Objekti ku ndodhi shpërthimi ishte në pronësi të shtetasit Kleo Bello, i cili kishte identitet tjetër me emrin Ndërtim Muxhaj.
34-vjeçari ka ndërruar emrat gjatë kohës që jetonte në Greqi.
Gjithashtu ai rezulton të jetë biznesmen në sektorin e transportit ndërqytetas. Kjo mendohet të jetë një nga pistat ku po hetohet për shkak se pak ditë më parë kishte një konflikt në vendin e quajtur, “Ura e Lumit” ku ishin përplasur fizikisht me njëri-tjetrin disa shoferë autobusësh. Pjesë e këtij sherri kishte qenë edhe 34-vjeçari.
Policia sekuestroi pamjet filmike të kamerave përreth, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.