Shpëtojnë strukturat e Notre Dame, Macron: Do e rindërtojmë!

0
11

Pas më shumë se 9 orësh betejë me flakët, zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll zjarrin që përfshiu një pjesë të madhe të katedrales Notre Dame de Paris.

Autoritetet franceze thanë se arritën të shpëtojnë nga djegia dy nga kullat e katedrales dhe strukturën shkëmbore të godinës Gotike, 850-vjeçare. Duke folur nga katedralja nēn flakë, në orët e para të së martës, presidenti Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen tragjike, por evidentoi si shumë të rëndësishëm faktin që u shpëtua struktura e saj.

“Ne do ta rindërtojmë katedralen të gjithë së bashku dhe ajo padyshim do të mbetet një nga destinacionet kryesore të Parisit”, tha Macron duke njoftuar se shumë shpejt do të hapë një skemë ndërkombëtare të mbledhjes së fondeve, për t’i rikthyer kryeqytetit Notre Dame-n e famshme. Ndërkohë, raportohet se gjatë betejës 9-orëshe me flakët, një prej zjarrfikësve ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar në spital për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ndërkohë, miliarderi francez François-Henry Pinault, pronar i Kering group, që përfshin linjat e famshme të modës, Gucci dhe Yves Saint Laurent, ka premtuar një donacion prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e Notre Dame de Paris.

Vetëm një javë përpara festës së Pashkëve, katedralja me e famshme në botë u shfaq e përfshire nga flakët. Ndonëse shkaqet e zjarrit zyrtarisht nuk janë bërë të ditura, të dhënat e para tregojnë se flakët kanë rënë si pasojë e një restaurimi qe kishte nisur ne pjesën e sipërme të ndërtesës. Edhe presidenti amerikan Donald Trump permes rrjetit social Twitter reagoi ne lidhje me ngjarjen e trishtueshme.

“Një gjë tmerrshme të shikosh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame te Parisit. Ndoshta hedhja e ujit nga sipër mund të përdoret mbi të. Duhet vepruar shpejt”

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo shkruante në Twitter: “Një zjarr i tmerrshëm ka përfshirë katedralen Notre Dame në Paris, ndërsa zjarrfikësit janë duke u përpjekur të kontrollojnë zjarrin. Ne jemi mobilizuar në nivel lokal në lidhje të ngushtë me autoritetet e kishës. U kërkoj të gjithëve që të respektojnë perimetrin e sigurisë”.