Presidenti Ilir Meta i shqetësuar nga të dhënat e “European Union Agency for Asylum”, ka deklaruar se shpopullimi i Shqipërisë nuk po ndalet.
Përmes një positmi në “Facebook”, Meta thotë se largimi i të rinjve si dhe i fuqisë intelektuale dhe punëtore më të kualifikuar është një problem kombëtar alarmues.
Sipas presidentit për të ndalur shpopullimin duhet të përmirësohen standardet e qeverisjes të llogaridhënies demokratike dhe rritur përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje!
“Shpopullimi i Shqipërisë nuk po ndalet.
Vitin e kaluar, sipas “European Union Agency for Asylum”, 11,246 shqiptarë kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke na renditur sërish të parët për numrin e aplikimeve.
Largimi i të rinjve, si dhe i fuqisë intelektuale dhe punëtore më të kualifikuar, në mungesë të shpresës dhe perspektivës, është një problem kombëtar alarmues, që duhet të na bashkojë të gjithëve, duke e adresuar me përgjegjshmëri, me atdhetari dhe me profesionalizëm.
Të ndalim shpopullimin duke përmirësuar standardet e qeverisjes, të llogaridhënies demokratike dhe rritur përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje!
Të bashkojmë energjitë për të rikthyer shpresën dhe për t’i dhënë Shqipërisë drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane, që të gjithë e dëshirojmë!”, shkruan Meta.