Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për marrëveshjen e huasë me bankën për Rindërtim dhe Zhvillim me vlerë 25 mln euro.
Ajo shpjegoi se kjo shumë parash do të shërbejë për të garantuar vijimin e reformave në sistemin shëndetësor dhe përmirësimin e strukturës spitalore.
“Qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për marrëveshjen e huasë me bankën ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë të projektit për përmirësimin e sistemit shëndetësor me vlerë 25 mln euro.
Kjo marrëveshje huaje me Bankën Botërore garanton vijimin e reformave në sistemin shëndetësor për përmirësimin e strukturës spitalore. Ne nuk i kemi ndalur investimet në shëndetësi”, u shpreh Manastirliu.
Ndërsa Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi miratimin e një fondi shtesë për 160 mln lekësh për federatat sportive dhe sportistët elitarë.
“Sot morëm një vendim të rëndësishëm edhe për sportin. Përmes një mbështetje financiare prej 160 mln lekë të reja për fedaratat sportive dhe sportistët elitarë. Do garantohet mbështetja për federatat sportive.
Buxheti i mëparshëm ishte i pamjaftueshëm. Me këtë shtesë do të jetë e mundur dhe do shmanget rreziku që Shqipëria të mos përfaqësohet apo të gjobitet në eventet ndërkombëtare. Sot sportistët që fitojnë statusin e nivelit të lartë shpërblehen njësoj si sportistët në vendet e tjera të BE. Sportistët shqiptarë kanë sjellë medalje dhe përmes kësaj shtese do të mundësojnë që nga nesër të shpërblejmë këta sportistë”, tha ajo