Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, ka bërë një deklaratë të përbashkët me 45 vende ku i bën thirrje Rusisë për lirimin e opozitarit Alexei Navalny.
Po ashtu kërkohet edhe lirimi i protestuesve të opozitës, të cilët janë arrestuar gjatë protestave masive në Rusi, në mbështetje të Navalny.
Ky i fundit u arrestua me 17 janar në aeroportin e Moskës, pasi u rikthyer në vendin e tij pas disa muajve trajtim në një spital gjerman për helmimin që iu bë.
Ai ka akuzuar presidentin rus dhe autoritetet ruse si shkaktarët e helmimit të tij.
Mes vendeve që kanë nënshkruar këtë deklaratë është edhe Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Greqia.
“Jemi të shqetësuar nga numri i madh i arrestimeve arbitrare të protestuesve që po shprehnin mbështetjen e tyre për Alexei Navalny në shumë qytete ruse. Zhvillimet e përgjithshme në lidhje me arrestimin, burgosjen dhe shtypjen e Navalny ndaj aleatëve dhe mbështetësve të tij janë prova e prekshme e tkurrjes së hapësirës së shoqërisë civile në Federatën Ruse, përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e pavarur të mediave. Ne i dënojmë me forcë këto veprime, të cilat përdorin mjetet e shtetit për të sulmuar media të pavarura dhe shoqërinë civile, dhe për të heshtur zërat kundërshtues”,- thuhet në njoftimin e HRC-së.